Kompanitë shqiptare dhe austriake të Forcës Rezervë Operacionale Shumëkombëshe (MN ORF) janë vendosur të mërkurën në Kosovë, duke zëvendësuar njësitë bullgare dhe greke. Ky rotacion i trupave vjen në mbështetje të misionit të KFOR-it, forca paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO.
Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, e cila theksoi se “ky rotacion forcon më tej gatishmërinë operacionale të KFOR-it për të përmbushur mandatin e tij të gjatë, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
KFOR-i, një trupë e armatosur e formuar nga bashkësia ndërkombëtare pas Luftës së Kosovës, ka si qëllim ruajtjen e sigurisë në Kosovë. Qendra komanduese e saj ndodhet në Prishtinë. Në fillim (1999), trupa përbëhej nga kontingjente të 40 kombeve me një fuqi prej 50 mijë ushtarakësh. Që prej 30 nëntorit 2012, KFOR-i përbëhet nga rreth 5565 ushtarakë nga 31 kombe anëtare të OKB-së.
