TCH: Shqipëria shpall “non grata” Valon Belën dhe Bekir Halimin! Reagon Bela: Asnjë qeveri nuk është mbi historinë e shqiptarëve

TË FUNDIT

Shqipëria ka shpall persona të padëshiruar dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Valon Belën dhe Bekir Halimin, raporton Top Channel. Sipas medias shqiptare vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme pas një propozimi të Njësisë Antiterror në Policinë e Shtetit. Burime pranë Top Channell bëjnë të ditur se autoritetet shqiptare kanë siguruar të dhëna që i lidhin dy personat me aktivitete të dyshuara në dëm të sigurisë dhe interesave të vendit.

Pas publikimit të lajmit nga autoritetet shqiptare, i mënjëhershëm ishte reagimi i Valon Belës  duke e cilësuar vendimin si politik. Sipas Belës, një vendim administrativ nuk mund të zhbëjë historinë, sakrificën dhe kontributin e tij.  Bela kritikoi ashpër edhe Qeverinë shqiptare, duke pretenduar se vendimi është i motivuar politikisht.

“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall “non grata”, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare”, ka shkruar Bela.

Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi natyrën e aktiviteteve që kanë çuar në shpalljen e tyre “non grata”. Kujtojmë që më herët, nga shteti shqiptar është shpallur “non grata” Ikball Berisha. Në vendimin e firmosur nga ministri i Brendshëm Besfor Lamallari, thuhej se motivi i këtij vendimi bazohej në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetase vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.