E enjte, ditë pazari në Tetovë.
Dita kur edhe sheh më së shumti shitës ambulantë, qytetarë që i sheshin produktet e veta që i kanë kultivuar në shtëpi.
Por sipas paralajmërimeve të Komunës së Tetovës, edhe pak ditë u kanë mbetur për bërë këtë lloj tregtie.
Është paralajmëruar se nga 20 dhjetori, inspektorati komunal, me asistencë të policisë, do të largojë shitësit ambulantë me qëllim lirimin e hapësirave publike, sidomos tek tregu gjelbër.
Jo të gjithë shitësit ambulantë duan të flasin para kamerës, por ata që ishin të gatshëm, vendimin e kryetarit të ri të komunës, e quajnë padrejtësi.
“Vetëm të enjten dal dhe vetëm këtë mall unë kam, nuk kam mall të blerë, mallin tim e shes, nga shtëpia. A nuk ka parking ku do hymë ne në treg me veturë atje ti s’ke ku t’i lësh thahet, si t’i mbaj unë, nga këtu merimanga do vijë do ma marrë veturën edhe do të shkoj, ne jemi as në tokë as në qiell”, tha një shitës.
Kundër vendimi të komunës janë edhe qytetarët. Ata i mbrojnë shitësit ambulantë, duke thënë se kështu e nxjerrin kafshatën e gojës dhe se largimi i tyre do të lërë shumë fshatarë pa të ardhura.
“Le të sheshin njerëzit, kujt i pengon. Çdokush del që një gojë buke ta fiton, këto shkojnë vetëm t’i shkelin njerëzit e jo t’i ndihmojnë”, u shpreh një qytetar.
“Të paktën duhet një herë në javë të sheshin, të paktën të enjten se ka ndokush mban familje nga kjo. Vend tjetër normal se duhet t’u gjejnë por brenda nuk ka vend, edhe pse ata thonë se ka vend”, tha një tjetër qytetar.
“Për t’i larguar flitet por drejtë duhet vend tjetër t’u gjejnë, t’i fusin në treg dhe do paguajnë 100 apo 200 denarë dhe a do i nxjerr ai ata para a do shesë a jo 100 denarë?! Do i shkojnë, dhe ai nuk do të ketë para të kthehet edhe në fshat”, potencoi një qytetar tjetër.
“Duhet t’u ndajnë edhe tregtarëve vend edhe ku ta lënë mallin, këta njerëz që shesin rreth rrugës nuk kanë vend ku ta dërgojnë, tezgat janë të gjitha të rezervuara këtyre duhet t’u ofrohet vend kaq unë di, duhet t’u ndihmohet. Nuk ruhet shteti vetëm me polici vetëm ta vraposh me polici se të gjithë ne jemi qytetarë të këtij vendi kemi punuar për këtë vend dhe do të punojmë”, tha qytetari.
Nga Komuna e Tetovës thonë se pasi të kalojë afati i dhënë për largimin e mallit, nëse i njëjtë nuk është larguar, Ndërmarrja komunale do të organizojë një kamion për bartjen mallin deri tek hapësirat e “Parqet dhe Gjelbërimi” me prezencë të inspektoratit komunal, inspektoratin e tregut dhe policisë.
