Sulmet e nisura më 28 shkurt nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit po shkaktojnë pasoja ekonomike të rënda përtej rajonit, ndërsa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka bllokuar zinxhirët e furnizimit dhe trafikun detar. Një nga sektorët më të prekur është eksporti i makinave të përdorura nga Japonia drejt tregjeve në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, shkruan Reuters.
Biznesmeni Umar Ali Haider Ali, i cili operon prej dy dekadash në Japoni, tregoi për Reuters se një ngarkesë me mbi 500 automjete të kompanisë së tij mbeti e bllokuar në det, pasi portet në Sri Lanka u mbushën me cisterna që nuk mund të lëviznin drejt Dubai-t. Automjetet u shkarkuan vetëm pas më shumë se 10 ditësh vonesë në portin e Hambantotës.
Kriza ka shkaktuar “panik” mes kompanive të transportit detar, me disa që kanë anuluar dërgesat dhe të tjera që kërkojnë tarifa shtesë apo depozita të larta për transportin. Disa kompani kanë propozuar devijimin e mallrave drejt porteve në Pakistani ose Kinë, ndërsa ekziston rreziku që një pjesë e automjeteve të kthehen në Japoni.
Kompania Kobe Motor, e cila eksporton rreth 18,000 makina në vit – kryesisht drejt Sri Lankës – ka aktualisht dhjetëra automjete luksoze të markave si Rolls-Royce, Lamborghini dhe Ferrari të bllokuara në porte në Azi, pasi nuk mund të transportohen drejt tregjeve në Lindjen e Mesme.
Industria globale e makinave të përdorura, e dominuar nga eksportues të vegjël në Japoni dhe Kore të Jugut, po përballet me presione të shumta. Vitin e kaluar, të dy vendet eksportuan automjete të përdorura me vlerë rreth 19 miliardë dollarë, me një pjesë të madhe të destinuar për Lindjen e Mesme, ku Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër importuesit kryesorë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti vazhdon, eksportuesit do të përballen me kosto më të larta të naftës dhe transportit, luhatje të monedhave dhe reduktim të rrugëve detare, duke thelluar krizën në një sektor që varet ndjeshëm nga stabiliteti i trafikut detar ndërkombëtar.
