Sulmet ruse në Ukrainë vranë 10 persona, Zelensky: Do kundërpërgjigjemi ndaj Moskës

TË FUNDIT

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas sulmeve ruse gjatë natës në Ukrainë, ku sipas të dhënave paraprake kanë humbur jetën të paktën 10 persona dhe disa të tjerë janë plagosur. Zelenskyy shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në zonat e goditura.

Deri më tani, 10 persona janë raportuar të vdekur. Ngushëllimet e mia familjeve dhe të dashurve të tyre. Shumë njerëz janë plagosur dhe po marrin të gjithë kujdesin e nevojshëm mjekësor”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ai tha se ekipet e shpëtimit kanë punuar për shuarjen e zjarreve dhe për përballimin e pasojave të sulmeve, ndërsa autoritetet po përcaktojnë rrethanat e plota të ngjarjes. Zelenskyy paralajmëroi gjithashtu se Ukraina do t’i përgjigjet sulmit rus.

“Ne patjetër do t’i përgjigjemi këtij sulmi rus”, u shpreh ai, duke shtuar se përgjigjja e Ukrainës duhet të shoqërohet edhe me masa nga partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Zelenskyt, aleatët duhet të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi Moskën dhe të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.