Lagjja në Kërçovë si deponi e egër! Ndërmarrja premton pastrim, kërkon të mos hidhen mbeturina

TË FUNDIT

Kjo nuk është deponi mbeturinash, por është lagjja “Sollunska” në Kërçovë, banorët e së cilës çdo ditë përballen me këtë papastërti. Në hyrje të lagjes, ku kalon edhe lumi, duket sikur po viziton ndonjë deponi të egër. Lumi është i tëri i mbushur me mbeturina të cilat e kanë ndaluar edhe rrjedhën e ujit, ndërkaq afër gjendet edhe një park lojërash për fëmijë, të cilët kur lozin, duhet të nuhasin kundërmimin e kësaj zone.

 “Është e kotë sepse hedhin sërish, nuk mund të kuptohesh, kryetarit i kemi thënë dhe na ka thënë se nuk mund të merrem vesh më vetëm të vendosim dënime për ata që hedhin asgjë tjetër. Ka shumë mbeturina edhe aty poshtë pas urës në të majtë kur të shkosh atje poshtë“

Hallin më të madh e ka kjo zonjë e cila jeton afër lumit, i cili po del nga shtrati dhe i është afruar shtëpisë së saj.

“Të gjitha mbeturinat hidhen këtu, para një kohe kur kishte të reshura uji doli mbi urë, uji erdhi deri këtu, këtu është edhe shtylla e energjisë elektrike, mos dhëntë zoti nëse uji merr me vete shtyllën do të digjemi e gjithë lagjja. Ndërsa ky vendi që është këtu poshtë, uji më vjen deri lart, dimrin e kaluar më  erdhi deri këtu lartë”

Ajo thotë se ka trokitur në të gjitha dyert institucionale por çdo herë ka hasur në vesh të shurdhër, duke mos llogaritur aspak kërkesat e saj për pastrimin e lumit. Për këtë problem TV21 kontaktoi Ndërmarrjen Komunale, përgjegjëse për pastrimin.

“Kemi filluar një aksion pastrimi në të gjitha zonat e banueshme, rrugë dhe rrugica tanimë prej disa javësh, po bëjmë të pamundurën që të pastrojmë të gjitha zonat e banueshme, ndërsa periudhën në vijim kemi në plan për pastrim edhe lagjen në fjalë. Po pastrojmë rregullisht por pas disa muajsh sërish krijohen deponi sepse qytetarët i hedhin mbeturinat dhe mbetjet ndërtimore vend e pa vend”, thonë nga NPK “Komunalec”.

Në këtë lagje edhe rrugët lënë për të dëshiruar, disa janë me gropa e një pjesë është fare pa asfalt, ndërsa fëmijët nuk mund të dalin të shëtisin lirshëm nga numri i madh i qenve endacak.