Lagjja 146 në Tetovë 30 vjet pa ujë të pijshëm – Banorët kërkojnë zgjidhje, komuna thotë se dy banorë nuk lejojnë punimet

TË FUNDIT

Ky është një sistem ujësjellësi që banorët e lagjes 146 e kanë ndërtuar vetë për të pasur ujë në shtëpitë e tyre. Nga pamjet mund të shihet se ky sistem nuk plotëson asnjë standard ekologjik, por ujin banorët e shfrytëzojnë vetëm për të mirëmbajtur higjienën. Për të pirë ata duhet të mbushim ujë në çezmat publike. Thonë se janë lodhur 30 vite me premtime dhe pa ujë për pije.

-Ja shiheni ne për vetë sigurojmë natën mbushet nga pak ditën sigurojmë por ka probleme, probleme ka 30 vjet, sa janë bërë këto shtëpi, këto janë bërë me plan komuna ka dhënë leje, rruga e shihni si është, kanalizimi është bërë nuk mund të themi keq, shpëtuam nga jamat (gropat septike), ujin edhe vetë komuna e di, nuk flasim për këtë komunë apo më parë, krejt çka vinë muhabeti njëjtë, jo vetëm kjo pjesë, edhe pjesë tjera, çka do flasim, shkojmë në Shkup pjesën ku jetojnë shqiptarët si është pjesa tjetër si është, domethënë këtu lihet sistematikisht nga shteti, shkojmë në Ohër lagjet si janë çdo kund kjo është nuk është vetëm këtu.

-Shumë vështirë nuk ka ujë, pjesa e sipërme e lagjes nuk ka, mbushim te arabatë, varrezat ka tre çezma, aty mbushim ujë për pije për të larë kemi një burim, ai kur vjen natën aty mbushim për të larë tjetre nuk funksionon. Vetëm për të larë është tesha dhe pjata, kjo është moti, me ujin kemi problem nga kur janë bërë këto shtëpi, janë vazhduar linjat por kemi problem, tash kryetari duhet të merr masa se ende kemi problem dhe kemi biseduar. Tha kanë problem dy rezervuarët dhe shkaku tyre kanë ngelur dhe me të vërtet kemi problem, tash ku ka ngelë problemi nuk e dimë, tha se duhet të vazhdohet por kur nuk e dimë.

Nga komuna e Tetovës thonë se faj është tek banorët pasi që disa nga ta nuk e lejojnë që ekskavatori të punojë. Sipas komunës prej 10 ditësh punët kanë nisur, por janë ndalur nga banorët.

 “Pas më shumë se tri dekadash, me angazhimin e vetë kryetarit Kasami në këtë lagje, punimet për sistemin e ri të ujësjellësit kanë nisur që prej dhjetë ditësh, ndërsa pauza prej disa ditësh, ka të bëjë me lejen që pritet të japin dy banorë që ekskavatori të kalojë nëpër pronën e tyre që të mund të vendoset edhe sistemi i ri i ujit. Shpresojmë në bashkëpunim me banorët që ky problem të zgjidhet një herë e për gjithmonë”, tha Komuna e Tetovës.

Projekti për furnizim me ujë të lagjes 146 ka kapur shumën prej 11 milionë e 500 mijë denarëve.