Labunishtë, banorët të shqetësuar nga guroret! Vendim i çuditshëm i administratives, habitet edhe ministri Bekteshi

TË FUNDIT

Fillimi i  punimeve në nga një guroret në Labunishtë pas dy vitesh ndalesë nga Ministria e Ekonomisë dhe qeverisë po shqetëson banorët e Labunishtës.

Gurorja në fjalë nga Veleshta e Strugës në  korrik të viti 2021 është ankuar në gjykatën administrative ku vendimi i gjykatës Administrative ka qenë  se ajo nuk është kompetente për të vendosur mbi këtë çështje. E këtë ia ka konfirmuar edhe Gjykata e Lartë Administrative.

Por vetëm 6 muaj më vonë, pas një kërkese të kompanisë “Vllashi”, e njëjta gjykatë ka sjellë një vendim të ri, me të cilin kompanisë i është lejuar të vazhdojë punimet.

 “Pranohet padia e paditësit shoqëria për transport, tregëti dhe shërbime Ramadan Vllashi nga Veleshta. Vendimi i kontestuar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ndërprerjen e njëanshme të marrëveshjes koncesionare për shfrytëzimin e pasurive minerale gur gëlqeror në lokacionin Gradishte Komuna e Strugës, nr.44.4442/3 nga 26.05.2020   deri në zgjidhjen juridike të mosmarrëveshjes administrative pas padisë kundër të njëjtit vendim të ngritur si y-6.nr104/2021 refuzohet si e pa bazuar “, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative.

Nga Organizata “Natura Lab” të cilët bashkë me banorët e fshatit janë kundër guroreve në Labunishtë thonë se vendimi i gjykatës administrative është i pa vend dhe paralajmërojnë protesta.

 “Kërkojmë nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e RMV-së të ndërmarrin masa, sepse ne nuk do të ndalemi. Do t’ia mësyjmë Strasburgut dhe gjithkund ku ka nevojë, ndërsa edhe protestat e banorëve të Labunishtës janë shumë afër”, thonë nga Organizata Natura LAB.

I shqetësuar nga vendimi i gjykatës administrative shprehet edhe Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

 “Vendimi i gjykatës administrative na ka befasuar edhe neve si Ministri e Ekonomisë dhe më e keqja është se nuk na ka dhënë mundësi as që të ankohemi, nëse keni pasur mundësi që ta lexoni edhe vendimin e gjykatës administrative”, tha Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Kontaktuam inspektorin e ambientit jetësorë të Strugës. Ai tha se ka qenë në terren dhe se kompania në fjalë i plotëson kushtet për punë në bazë ekologjike. Por banorët e Labunishtës kërkojnë një inspektor tjetër që të shkojë atje dhe të bëjë matjet për ndotjen e ambientin jetësorë.

Ministri Bekteshi shtoi se në momentin kur inspektorati dorëzon në ministrinë e Ekonomisë raport që nuk plotësohet dispozitat e kontratës, ministria e Ekonomisë përsëri do të marr masat e duhura.

Ndryshe dy vite më parë, banorët e këtij fshati nëpërmjet një peticioni të nënshkruar nga 3000 persona dhe nëpërmjet protestave e ndaluan punën e gurores.