Kuvendi nesër debaton për propozimin francez. Për mbështetje vjen edhe kryetarja e KE-së Von Der Lajen

TË FUNDIT

Nesër para se të fillojë seanca kuvendore për Informacionin mbi propozimin francez, deputetëve do t’u drejtohet kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Lajen.

Pas kësaj, deputetët do të debatojnë për propozimin. Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski shkruan se Informacioni për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese mund të kalojë, por jo edhe ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski thotë se pushteti po mundohet ta shfrytëzoj Kuvendin si alibi për të pranuar propozimin francez.

“Në çdo rast deputetët e VMRO-DPMNE-së me argumente do ta demaskojnë propozim dhe dëmin e tij dhe do të jenë kundër kësaj përpjekjeje teatrale që Kuvendi të shfrytëzohet si alibi për atë që të hënën ose të martën Qeveria e Kovaçevskit dhe Osmanit do të thonë po për këtë propozim”, tha Antonio Milloshovski, deputeti i VMRO-DPMNE-së.

I pyetur se çfarë konkluzionesh do të pranonin që ato të miratohen njëzëri në Kuvend, Milloshoski tha se konkluzionet sa i përket këtij informacioni do të kishin kuptim vetëm nëse ato i pranon Qeveria.

Ndërkaq deputeti i LSDM-së, Mile Taleski thotë se deputetët në Kuvend përmes miratimit të përfundimeve dëshmojnë interesin për integrim në BE.

“Atë që LSDM ka dorëzuar janë përfundime që Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, garanton mbështetje pa kushte të veçorive të identitetit, gjuhës dhe kulturës të popullit maqedonas për të cilat në asnjë moment nuk negocion me Bashkimin Evropian. Prandaj ne si parti politike kërkojmë që këto përfundime të jenë përfundime të vetme të të gjitha subjekteve politike në Kuvend”, tha Mile Taleski nga LSDM.

Pushteti mbetet në qëndrimin se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet për të hequr veton bullgare dhe të zhbllokojë procesin e eurointegrimeve të vendit. Zëvendëskryeministri Artan Grubi në takim lamtumirës me ambasadorin e Hungarisë, Laslo Ishtvan Duks, ka theksuar se propozimi evropian nuk cenon gjuhën dhe identitetin maqedonas.