Edhe pesë ditë, duke filluar nga sot, partitë politike kanë kohë që të zgjedhin presidentin e ri, ose vendi shkon serish në një cikël të ri zgjedhor.
Krerët e të gjitha partive politike janë deklaruar kundër zgjedhjeve, por ende nuk është raportuar për ndonjë takim apo konsultim mes tyre për t’i evituar ato.
Të enjten kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër, ka thënë se po të enjten (dje) do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kurti ka thënë se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte në vizitë në Kosovë.
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, ka thënë Kurti.
