Kuvajti raportoi aktivitete armiqësore me dronë dhe raketa, ndërhyn mbrojtja ajrore

TË FUNDIT

Kuvajti njoftoi sot se ka qenë objektiv i sulmeve me raketa dhe dronë, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore kanë ndërhyrë për të interceptuar dhe neutralizuar kërcënimet.

“Të gjitha shpërthimet që janë dëgjuar janë rezultat i veprimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore gjatë interceptimit të objektivave armiqësore”, deklaroi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kuvajtit në një postim në platformën X.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe rekomandimet e institucioneve kompetente.

Ushtria e Kuvajtit nuk ka saktësuar se nga janë lëshuar raketat dhe dronët, as cilat kanë qenë objektivat e tyre.

Që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, forcat iraniane kanë lëshuar në disa raste raketa dhe mjete ajrore pa pilot drejt Kuvajtit dhe vendeve të tjera të Gjirit.

Shtetet e Bashkuara kanë një numër të madh bazash ushtarake në rajon, disa prej të cilave ndodhen vetëm disa qindra kilometra larg Iranit. Pavarësisht armëpushimit, disa shtete të Gjirit Persik kanë raportuar kohët e fundit sulme të izoluara dhe incidente të sigurisë.