Ministrja e jashtme bullgare Marija Gabriel pohon se Bullgaria nuk ka probleme bilaterale me Maqedoninë e Veriut sa i përket integrimit në Bashkimin Europian. Megjithatë siç shton ajo, për rrugën europiane të Maqedonisë, kusht nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese por edhe marrëveshja për fqinjësi të mire dhe dy protokollet.
“Nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe dy protokollet. Ne kemi tre instrumente të lidhura të cilat janë pjesë e kompromisit të korrikut 2022. Ne jemi vendi anëtar në BE, dhe si shtet anëtar me kërkesat e saja ndaj Maqedonisë tregojmë se kur dëshiron të bëhesh anëtare BE-së duhet t’i përmbushësh kërkesat që ke ndërmarrë.”- deklaroi Marija Gabriel – Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Por ministri Osmani thotë se në samitin e Brukselit më 15 dhe 16 dhjetor, këto dy protokolle nuk kanë kaluar në konkluzionin e samitit. Sipas Osmanit, është e rëndësishme që Maqedonia ka krijuar një kornizë negociuese dhe bisedimet i udhëheqë në bazë të asaj kornize.
“Nuk është shumë e rëndësishme nëse Bullgaria në të ardhmen do të ketë kërkesa të reja. Me rëndësi është se ne krijuam mur në të cilin do të përplasen kërkesat bullgare. Ai mur quhet korniza negociuese. Korniza negociuese ka përcaktime të qarta çfarë mund të lëshojë çfarë jo. Ky ishte shembulli më i mirë se si një kërkesë e re bullgare e cila ne konsiderojmë se nuk është pjesë e kornizës negociuese, nuk mund të depërtojë përmes murit të ashtuquajtur, kornizë negociuese.”- tha Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm.
E kur jemi te rruga europiane e Maqedonisë, bashkë me Maqedoninë në një pako është edhe Republika e Shqipërisë. Ministri i jashtëm shqiptar, Igli Hasani, thotë se në rrugën drejt BE-së, për vendet e rajonit nuk ka arsyetime por se duhet të zbatojnë reformat.
“Unë mendoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë një punë të admirueshme në rrugën tonë të përbashkët drejtë Bashkimit Europian. Rruga drejt Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe gjithë vendet e rajonit është pa “if-s & but-s”, pa “por” dhe pa “nëse”. Për këtë është detyra e jonë të vazhdojmë të thellojmë reformat që kemi marrë përsipër.”- pohoi Igli Hasani – Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Përndryshe sipas asaj që potencoi sot kryeministri Kovaçevski, konkluzioni i Këshillit Europian thotë se Maqedonia e Veriut me sukses ka përfunduar procesit e skriningut dhe ngelet detyra e radhës për të votuar ndryshimet kushtetuese.
