Kush përfiton e kush humb me një njësi zgjedhore? Trajanov-Azirit: Me propozimin tuaj e favorizoni BDI-në

TË FUNDIT

“Jo vetëm politikisht, por për ndryshim të kodit zgjedhor duhet të ketë edhe konsensus etnik” tha deputeti i ASH-së, Elmi Aziri në emisionin “Clik plus” në TV21. Sipas tij shteti duhet të ketë 8 njësi zgjedhore, e jo vetëm një.

“Për ndryshime të kodit zgjedhor, për modelin e ri zgjedhor, nuk duhet konsensus vetëm mes partive politike, por edhe konsensus etnik. Nëse VMRO-DPMNE dhe LSDM pajtohen të ketë një njësi zgjedhore, BDI dhe ASh nuk duan, nuk duhet të ketë. A mund të ketë ndryshime brenda kodit zgjedhor? Jo, nuk mund të ketë”, deklaroi Elmi Aziri, ASh

Pavle Trajanov nga LD-ja mendon se një njësi zgjedhore është modeli i vërtetë për Maqedoninë.Po ashtu foli edhe për listat e hapura dhe mendon se nëse ka, nuk duhet të ekzistojnë koalicionet.

“Nëse pranohet modeli me 8 njësi zgjedhore, siç kërkon ASh, vetëm i përforcohet pozita BDI-së. Për shkak se do të përçahen votat dhe ashtu humbim ne partitë më të vogla”, pohoi Pavle Trajanov, Lidhja Demokratike

Trajanov shtoi se e kanë përkrahjen e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe partive më të vogla në Kuvend, për një njësi zgjedhore. Megjithatë porosit se nëse bllokohet ky propozim ligj, Qeveria mund të rrëzohet me përkrahjen e deputetëve të tjerë.

Sipas profesorit Spasenovski kishte shumë debate nga e djathta politike për insistimin që të votojë diaspora. Kishte komplikime kur u miratua një gjë e tillë. Kishim situatë kur deputetët zgjidheshin me 200-300 vota, nga ana tjetër disa deputetët që ishin zgjedhur me më shumë vota, e pastaj e kontestonin legjitimitetin e tyre.

“Pas vitit 2016 kur i dakorduan ndryshimet e atëhershme të kodit zgjedhor, nën hijen e Qeverisë së Përzhinës, ndjenja ime ishte sikur të ishte arritur një konsensus së heshtur, se ky shtet tentoi t’i mundësojë diasporës që të votojë, megjithatë se diaspora nuk ishte e gatshme” deklaroi Aleksandar Spasenovski, profesor universitar.

Qëndrimin se pse janë kundër një njësi zgjedhore, Aziri e arsyetoi me pohimin se kjo do të kontribuojë për shumicë të paqëndrueshme, se do të ketë 30 parti politike me nga një deputet në Kuvend dhe se do të shkaktojë rrezik që të ketë zgjedhje në çdo 6 muaj.