Kush me çfarë shkon në takimin për zgjedhjet? VMRO nuk dëshiron kryeministër të BDI-së, por i lë derë gjysmë të hapur

TË FUNDIT

Ndonëse tani për tani nuk kemi paralajmërime se kur do të mbahet mbledhja e kryetarëve të partive për zyrtarizimin e datës së zgjedhjeve, por me siguri do të ndodhë javën e ardhshme. Tashmë është e ditur cilat dhe çfarë kërkesash do të ketë në atë takim. VMRO-DPMNE do të vendosë në tryezë propozimin për shfuqizimin e qeverisë teknike, siç arsyetuan deri më tani, të mos ketë kryeministër nga radhët e BDI-së. Por pasi që paralajmëruan mundësinë për koalicion me të Majtën, integristëve ia kanë lënë derën gjysmë të hapur.

“Duke ndjekur gjithçka që po ndodh viteve të fundit në shtetin tonë, jemi absolutisht kundër dhe dëshirojmë që të bëjmë gjithçka që është e mundur që BDI të mos ketë kryetar të Qeverisë. Asnjë derë asnjëherë nuk duhet të mbyllet për subjektet politike, por kjo nuk do të thotë se dyert nuk do të mbyllen për individë të caktuar në të gjithë ato subjekte që për ne me shumë gjasa nuk do të ishin të pranueshëm që në çfarëdo mënyre të jenë pjesë e ndonjë qeverie të ardhshme”, tha Timço Mucunski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

LSDM përveç që refuzoi që të shfuqizohet Qeveria teknike, duhet që të harmonizojë edhe qëndrimi për atë se kush do të jetë kryeministër teknik nga radhët e BDI-së 100 ditë para zgjedhjeve. Vazhdimisht e më të zëshme janë paralajmërimet se mund të jetë kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, i cili në brifing me gazetarët para dy ditëve nuk mohoi se e dëshiron këtë kolltuk, por tha se askush nuk ia ka ofruar. Megjithatë siç duket në takimin e liderëve do të filet më pak për atë se në cilën datë do të mbahen zgjedhjet, për shkak se disi paraprakisht të gjithë partitë politike u dakorduan që zgjedhjet të mbahen më 8 maj.

“Ata deri para pak kohe, para një muaj apo dy kërkonin zgjedhje të parakohshme. Në fund kur e panë që tashmë nuk ka mundësi që të ketë zgjedhje të parakohshme atëherë thanë që të kemi zgjedhje të dyfishta me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. 8 maji i cili përflitet si termin në të cilin duhet të mbarojnë zgjedhjet presidenciale është në suaza të terminit të rregullt për zgjedhje parlamentare”, pohoi Snezhana Kalevska Vançeva, LSDM.

Përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve tregoi edhe ASH, të cilët siç duket gjithashtu do të shkojnë në takim me qëndrim se do ta pranojnë fillimin e muajit maj si datë e mundshme.

Nga BDI këto ditë u prononcuan se ata janë kundër shfuqizimit të Qeverisë teknike. Nënkryetari i partisë, Bujar Osmani, doli me qëndrim se tashmë është vonë për diçka të tillë, ndërsa për këtë mund të mendohet për zgjedhjet tjera.