Rreth 163 prokurorë nga i gjithë vendi, më 7 nëntor do të votojnë për zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për herë të parë zgjedhja do të bëhet sipas Ligjit të ri për prokurorë publik, që do të thotë se kryeprokurori do të zgjidhet nga votat e kolegëve prokurorë. Prokurori republikan, Lubomir Joveski, sot u ka dërguar letër të gjithë prokurorëve, që të votojnë sipas bindjeve të tyre, pa ndikime dhe presione.
“Vlerësoj se kjo mënyrë zgjedhjeje jep një mundësi direkt që me votën tuaj të ndikoni në përmirësimin e situatës në Prokurorinë Publike. Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsioni është një pjesë e rëndësishme e strukturës së prokurorisë dhe pozita e personit të parë të kësaj prokurorie është e fuqishme, por edhe me shumë përgjegjësi”, tha Lubomir Joveski, prokuror republikan.
Në garë për shef të kësaj prokurorie janë katër kandidatë, Villma Ruskoska, e cila kandidon për mandat të dytë, ndërsa Islam Abazi, Edmond Neziri dhe Desa Paunovska kandidojnë për herë të parë.
Pyetëm prokuroren Ruskoska se përse vlerëson se meriton edhe mandat të dytë në krye të Prokurorisë për ndjekje të krimit dhe korrupsionit.
“Nga raportin e Komisionit Europian për vitin 2019- 2022 në fushën e drejtësisë vetëm Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit është vlerësuar me notën më të lartë. Kam mbështetje të plotë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga qytetarët. Çdo ditë kur i takoj në rrugë qytetarët me përshëndesin dhe më thonë: Prokurore mos u dorëzoni, duroni, mos lëshoni pe. Kam treguar dhe dëshmuar se nuk ka të paprekshëm për mua. Kam pasur lëndë për ish-zyrtarë politik dhe zyrtarë të tanishëm. Në mandatin tim, drejtësia ka qenë mbi të gjitha. Për këtë arsye duhet të jem përsëri në krye të kësaj prokurorie”, pohoi Villma Ruskovska, prokurore.
Kandidati Edmond Neziri vjen nga Prokuroria e Shkupit. Thotë se ka përgatitur program të cilin ua ka dërguar Këshillit të prokurorëve dhe kolegëve prokurorë prej të cilëve pret mbështetje.
“Sipas programit, planifikoj rritjen e dinamikës së veprimit të qendrës për hetim të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, intensifikimin e hetimeve financiare, transparencë në procedura, fuqizimi i personelit dhe i burimeve materiale të prokurorisë, përgjegjësi etike dhe përmirësim të bashkëpunimit me të gjithë institucionet si me MPB-në, Policinë financiare, Agjencinë për zbulim financiar dhe Komisionin Antikorrupsion”, theksoi Edmon Neziri, prokuror.
Në një intervistë për A1.on, kandidatja Desa Paunovska tha se duhet të ndryshohet mënyra e funksionit të kësaj prokurorie.
“Mënyra e punës së Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar patjetër të ndryshohet. Aty ka prokurorë që janë jashtëzakonisht të mirë, e dinë punën e tyre dhe punojnë në lëndë të rënda. Megjithatë ka një pjesë të prokurorëve të cilët nuk janë të rritur, nuk duan dhe nuk kanë dëshirë të punojnë. Kjo gjë patjetër të ndryshohet. Nuk i drejtohem Villmës, por në kohën time Prokuroria për krim të organizuar, kolegët e quanin agjenci turistike dhe ende nuk kam përshtypje se është ndryshuar mendimi”, deklaroi Desa Paunovska, prokurore.
Kandidati tjetër që nuk arritëm të biem në kontakt është prokurori Islam Abazi nga Gostivari.
Mandati i shefes së suspenduar Ruskovska zgjat deri më 14 nëntor, ndërsa për zëvendësimin e saj të përkohshëm më 29 gusht është emëruar prokurori Trajçe Pelivanov.
