KUSH DO TË MBAJË PËRGJEGJËSI? XHESIKA NGA MANASTIRI U MBYT DUKE E SHPËTUAR KUSHËRIRËN E SAJ

TË FUNDIT

Për shkak të temperaturave të larta, rreth 20 fëmijë nga lagja e Manastirit-Karton Mëhalla, kishin vendosur që ta vizitojnë pishinën “Dovlexhik”  në Manastir, e cila ndodhet afër lagjes. Noti i djeshëm përfundoi me pasoja tragjike për Xhesika Memishovskën, e cila pas një muaji duhej të mbushte 14 vjet. Xhesika nuk ka ditur të notojë dhe e ka inkurajuar kushërirën e saj, 12-vjeçaren Elizabeta të futet në pishinë, e cila menjëherë ka filluar të mbytet. Xhesika, me një grua, e cila ka qenë atje rastësisht, ka arritur ta shpëtojnë vajzën, por fatkeqësisht Xhesika u fundos dhe në fund të pishinës ka qëndruar për pothuajse një orë.

“Kur Xhesika ka kërcyer në ujë, vajza ime kërceu dhe filloi të mbytej dhe të fundosej. Xhesika shkoi për ta shpëtuar kushërirën e saj, megjithatë duke e ngritur në sipërfaqe, ajo ka filluar të fundoset, ndërsa vajzën time e kanë nxjerrë me një femër. Kur e kanë nxjerrë, vajza filloi të bërtiste – kushërira ime është poshtë. Pas gjysmë ore, uji e nxori lart, ndërsa uji ishte i papastër, nuk shihej asgjë”, deklaroi Nehru Kamber, babai i vajzës së shpëtuar.

Familjarët të cilët pritnin ta marrin vajzën nga morgu i spitalit, janë të mllefosur që koncesioneri i cili menaxhon me kompleksin rekreativ “Dovlexhik”, pishinën e ruan të mbushur me ujë, edhe pse nuk kishin planifikuar ta lëshojë në përdorim këtë sezon. Njëkohësisht pyesin përse nuk kanë vendosur kujdestarë.

“Ishte vajza më e dashur në rrugë, ishte shumë inteligjente, vajza ishte e mençur dhe e qetë. U befasuam shumë dhe jemi nën stres të madh prej kësaj që ndodhi”, tha Sabire Rustemovska, fqinje.

“Për shkak se nuk kemi ujë lart, fëmijët për tu freskuar kanë shkuar atje ndërsa ky vend nuk është i mirë dhe i sigurt, nuk ka sigurim”, u shpreh Feim Memishovski, familjar i vajzës së mbytur.

“Nëse i ka parandaluar dikush, nuk do të hynin brenda. Nëse kjo pishinë nuk punon, nuk duhej të kishte ujë brenda saj”, theksoi xhaxhai i vajzës, Kamber Makimir.

Nga kompania “Megagrup Manastir” shprehin keqardhje dhe distancohen nga përgjegjësia, duke shtuar se janë koncesionerë vetëm të objekteve përreth pishinës. Sigurojnë se për këtë kanë lidhur edhe marrëveshje me shkrim.

“Duke pasur parasysh se ne si koncesionerë këtë vit nuk planifikojmë të organizojmë çfarëdolloj aktivitetesh që kanë të bëjnë me pishinën, andaj nuk kemi obligim për sigurim dhe për shërbimet e sigurimit për shkak se nuk shiten bileta. Nga ana jonë, me muaj të tërë kishte shenjë se pishina është jashtë funksionimit”, thonë nga “Megagrup Kompani Manastir”.

Kryetari i Forcave Demokratike të Romëve në Manastir, Iris Xhellovski, kërkoi që autoritetet kompetente sa më shpejtë që është e mundur ta zbardhin rastin dhe t’i ndërmarrin masat e duhura, me qëllim që të mos përsëriten ngjarje të këtilla të padëshirueshme. Ndryshe, “Dovlexhiku” është në pronësi të NP “Strezhevë”, por nga prilli i vitit 2017 është dhënë nën koncesion privat.

Përgatiti: Jovica Paunoski