Kurti: Opozita bashkërisht të propozojnë 3 kandidatë për për president, jashtë skenës aktuale politike!

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret nga partitë opozitare që të dorëzojnë 3 emra për kandidatë për president, jashtë skenës aktuale politike, përcjell TV21. Kurti thotë se pas këtyre propozimeve, do të tërhiqen dy propozimet e VV-së për president.

“Hapi i ri që kemi ndërmarrë, e që duhet të konkretizohet deri nesër mbrëma, është që LDK dhe PDK, bashkërisht, si dy parti që janë më të vjetra se LVV, le të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, të figurave që kanë reputacion të lartë për nga integriteti qytetar dhe kombëtar, por natyrisht edhe për nga kontributi profesional në shoqëri dhe këtyre tre emrave, ne mund të ua sigurojmë mbi 90 nënshkrime, sepse për të aplikuar një kandidat, i duhen 30 nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit. VV me PDK-në dhe LDK-në së bashku, e granatojnë një gjë të tillë. Në rast se ata na e sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, jashtë skenës aktuale politike, atëherë, dy kandidaturat tona. Zv/kryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dhe deputetja e Kuvendit, dr. Fatmire Mulhagja Kollçak, do të tërhiqeshin”, tha mes tjerash Kurti.

Kurti kërkon që kandidatët të jenë ekskluzivisht jashtë skenës aktuale politike.

“Figurat seniore në shoqërinë kosovare ata i njohin edhe më mirë se ne. Ka shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dhe kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra, dhe në atë rast do të kishim mbi 90 nënshkrime”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ritheksoi se zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje.

“Tash ne s’po propozojmë më. Është radha e opozitës dhe është për të ardhur keq që s’ma kanë thënë asnjë emër. Por le të mos ma thonë mua. Le t’ia thonë njëri-tjetrit dhe qytetarëve. Ne ua sigurojmë nënshkrimet dhe të hënën ecim përpara”, shtoi Kurti.