Kurti i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë me ndërmjetësim të BE-së

TË FUNDIT

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kalendari i takimeve të ardhshme midis përfaqësuesve kosovarë dhe serbë për stabilizim të marrëdhënieve midis të dyja vendeve, varet nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialog.

Kurti deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për rifillimin e dialogut i cili u ndërpre në nëntor të vitit 2018, kur qeveria e atëhershme e Ramush Haradinaj e vendosi taksën prej 100 për qind për importin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e BE-së. Natyrisht që ai tash është duke përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur mirë. Jemi gati, kemi përvojë dhe do ta përfaqësojmë Republikën tonë ashtu siç e thotë Kushtetuta dhe ligji. Pra, varet nga Brukseli kalendari i dialogut”, deklaroi Kurti gjatë qëndrimit të sotëm në Suva Rekë, ku u informua për pasojat e motit të keq që e përfshiu rajonin.

Kryeministri në dorëheqje  theksoi se ai personalisht do ta prezantojë Kosovën në dialogun me Serbinë, duke pasur parasysh se ekziston aktvendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me të cilin kryeministri është ai që duhet t’i zhvillojë negociatat me shtet tjetër.

Deputeti i BE-së në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit, diplomati sllovak Lajçak, deklaroi këto ditë, në bisedë telefonike me Kurtin, se  të gjitha palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut dhe se vetëm po pritet që gjendja epidemiologjike ta mundësojë takimin fizik midis ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë./MIA