Grupe kriminele i ka quajtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti personat që shkaktojnë trazira në veri të Kosovës.
Thotë se janë të nxitura dhe të mbështetura nga Serbia.
“Është për të ardhur keq që grupe të ndryshme kriminale në Veri të Ibrit, por gjithnjë të nxitura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucione të shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj”, tha Kurti në kuadër të Forumit socio-ekologjik në Shkup, transmeton TV21.
Më tej Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të ruajnë qetësinë, ndërkaq faktori ndërkombëtarë të mos i mbajë sytë mbyllur para nxitjes së regjimit autokrat të Serbisë.
“Qytetarët të ruajnë qetësinë, meqenëse individë e grupe kriminale nuk mund të ngadhënjejnë mbi shtetin tonë, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare, faktori ndërkombëtar do të duhej të mos i mbyllnin sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta luftojnë dhe kundërshtojnë shtetin tonë”, tha më tej Kurti./TV21
