Irani njofton për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit! SHBA: Nuk ka prova se Ngushtica është bllokuar

TË FUNDIT

Komanda e ushtrisë së Iranit tha se po mbyll Ngushticën e Hormuzit për kalim tregtar në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme izraelite në jug të Libanit.

Në deklaratën e publikuar nga mediat shtetërore iraniane, autoritetet ushtarake thanë se mbyllja e një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë është vetëm hapi i parë i masave që mund të ndërmerren nëse vazhdojnë, siç i quajtën, veprimet agresive.

Teherani paralajmëroi se mund të pasojnë edhe masa të tjera për të detyruar palët e përfshira të përmbushin obligimet e tyre.

Megjithatë, Uashingtoni ka vënë në pikëpyetje zbatimin real të këtij vendimi.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se deri më tani nuk ekzistojnë prova se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur dhe se trafiku detar, përfshirë transportin e naftës, po vazhdon normalisht.

Zhvillimet vijnë në kohën kur po përgatiten bisedime të reja diplomatike në Zvicër mes përfaqësuesve të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Mediat raportojnë se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pritet të takohet me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë që synon uljen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit në rajon.