Kur do të jetë gati poliklinika në Saraj? Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjet për sigurimin e pajisjeve

TË FUNDIT

Poliklinika e parë në Saraj ka filluar të marrë formë. Por kur do të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj ane të Shkupit, të cilët me vite e presin këtë qendër mjekësore? Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, tha se ka mbetur që të sigurohen pajisje nga Ministria e Shëndetësisë, nga ku siç tha, e kanë premtuar një gjë të tillë.

 “Poliklinika në muajin e dytë nga punëkryerësit më kanë thënë që do të përfundojnë pjesën e tyre tani mbetet me Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurohen pajisjet me të cilët kam qenë në komunikim edhe gjatë miratimit të buxhetit ku më kanë siguruar që kanë mjete të atilla dhe kuptohet që ashtu siç është e paraparë pres që të lëshohet në përdorim”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit.

TV21 ka dy ditë që pret përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, por nuk kemi marrë asnjë reagim për pyetjet se sa mjete janë ndarë për pajisjet e Poliklinikës në Saraj me aparatet e nevojshme shëndetësore, se kur do të mund të jetë në funksion dhe se sa mjekë janë paraparë të punojnë në këtë Poliklinikë?

Poliklinika në Komunën e Sarajit do të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore në Shkup. Kjo ambulancë do t’i shërbejë gati 45 mijë banorëve të këtij rajoni të kryeqytetit të cilët nuk kanë asnjë poliklinikë në komunë, ndërsa ajo më e afërta është në komunën “Gjorçe Petrov”.