Kur do të hapet shkolla e Vizbegut? Ministri thotë se “topi” është te komuna e Butelit

TË FUNDIT

Edhe pak ditë do të nisë gjysmëvjetori i dytë shkollor, ndërsa shkolla fillore në Vizbeg ende nuk është hapur, ndonëse ishte paraparë të hap dyert këtë gjysmëvjetor. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri pohon se nga ana e ministrisë janë kryer të gjitha procedurat e pranimit teknik dhe se tash obligimin për hapje e ka komuna e Butelit.

“Lajmi i mirë është se objekti i plotëson të gjitha kushtet e pranimit teknik dhe obligimi më tutje për hapjen e shkollës së Vizbegut është tek komuna, por më gëzon fakti se komuna do të emërojë drejtor, do t’i dorëzojë kërkesat dhe është vetëm çështje ditësh deri në aprovimin e mendimit pozitiv nga ana e ministrisë së financave që do të duhet të hapet shkolla.”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Kërkuam përgjigje nga kryetari i Butelit, Darko Kostovski, se si do të veprojë dhe se kur do të lëshohet në funksion kjo shkollë, por ai na tha se ende nuk e kanë marrë pranimin teknik që duhet.

“Ngecja e deritanishme është përgjegjësi vetëm e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ende po e presim pranimin teknik. Sapo të përfundojë, menjëherë do të vendosim drejtor dhe shkolla do të nisë me punë.”- tha Darko Kostovski, Kryetar i Butelit.

Në mungesë të një shkolle, nxënësit e Vizbegut nga klasa e gjashtë e kësaj lagjeje janë të detyruar të udhëtojnë në komunën e Shuto Orizares për të ndjekur mësimin.