Kuka e cilëson sukses historik fitimin e dy medaljeve
Dje gjatë garave ditës së parë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” Kosova ka fituar dy medalje.
Të dyja këto medalje u arritën në sportin e xhudos me sportistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova. Kelmendi fitoi medaljen e artë, ndërsa Gjakova humbi në finale duke arritur ta rrëmbejë medaljen e argjendtë.
Pas garave, trajneri i tyre, Driton Kuka u shpreh tejet i lumtur me suksesin e arritur, duke e cilësuar si sukses historik fitimin e medaljeve nga dy xhudistët tona. “Të them të drejtën ne si ekip i vogël para garave të tilla, dihet se lojërat evropiane në sportin e xhudos e kanë pasur karakterin edhe të kampionatit evropian domethënë konkurrencë e jashtëzakonshme njëkohësisht kualifikuese edhe për lojërat Olimpike. Në mëngjes kam qenë shumë nervoz pasi që edhe Distria ka pasur problemet e saja dhe nuk është paraqitur sot në gara. Majlinda është duke e gjetur ende formën e vet pasi lëndimit edhe abstenimit të gjatë prej xhudos prej garave të mëdha, ndërsa Nora ka qenë një ndër favoritet për medalje, këtë edhe e ka arsyetuar ka shkuar deri në finale ku me një gabim të vogël ka mbetur pa medaljen e artë. Të them të drejtën e arta e Majlindës dhe e argjendta e Norës janë diçka të jashtëzakonshme janë një sukses i madh”, u shpreh Kuka.
Vlen të theksohet se sot në garat e xhudos në lojërat evropian “Minsk 2019” do të paraqitet Akil Gjakova në kategorinë -73kg, ku edhe ai synon të ngjitet në podium. Sot në këto gara do të paraqiten Shpëtim Bajoku në kategorinë deri në 64 kilogramë në boks dhe Donjeta Sadiku në kategorinë deri në 60 kilogramë në boks.
Kosova garën në Lojërat Evropiane Minsk 2019, e nisi të premten me 12 sportistët që do ta përfaqësojnë. Lojërat Evropiane Minsk 2019 do të zhvillohen prej 21 deri më 30 qershor.
The post Kuka: Një sukses i madh për Kosovën në Minsk appeared first on RTV21.
