Ky është kufiri ndarës në mes Komunës së Butelit dhe Komunës së Shuto Orizares, ku pjesa e ndërtuar e rrugës i takon komunës së Butelit. Rruga gjendet në komunën Shuto Orizare, në një lagje e cila është e banuar kryesisht me shqiptarë. Banorët e kësaj lagjeje i preokupon fakti se fëmijët e tyre duhet të kalojnë këtej pari për të shkuar në shkollë. Ata tregojnë se si fëmijët qëndrojnë në shkollë me këmbë të lagura gjatë gjithë orëve të mësimit. Përveç kësaj, veturat e tyre po shkojnë duke u dëmtuar dita ditës për shkak të gropave që janë hapur në këtë rrugë të pa asfaltuar.
“Siç po e shihni gjendja në këtë rrugë është katastrofë, dhe kur bie shi bëhet ende më keq. Është gati se e pakalueshme. Fëmijët kur shkojnë në shkollë bëhen krejt baltë. I mbajnë nga 2-3 orë dhe duhet me i kthyer përsëri tek shpija se ftohen, pastaj duhet me i dërgua edhe tek mjeku”,thotë Nuredin Arifi, banor i lagjes
“Si me vetura, si fëmijët me i dërguar në shkollë është katastrofë; ja veturat i kemi shkatërruar siç po e shihni rrugën, pak shi me ra, hata e kemi me dal jashtë e me shkuar në punë, gjithashtu dhe fëmijët me shkuar në shkollë”, ankohet banori tjetër Elham Idrizi
Banorët gjithashtu thonë se me vetiniciativë kanë ndërmarrë masa për mbulimin e gropave dhe rregullimin e rrugës.
Ndërkohë Nuhi Arifi, tregon se si e përjetojnë fëmijët këtë gjendje, ai shprehet:
“Me këmbë të lagura po shkojnë në shkollë, 3-4 orë shkollë edhe apet po kthehen me këmbë të lagura dhe po sëmuren.
Këto punimet janë krejt vetë që i kemi ndërmarrë, komuna s’ka bërë asgjë fare.”
Ndërsa nga Komuna e Shuto Orizares thonë se kanë aplikuar në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Sa i përket afatit kohor ata thonë se sapo të marrin projektin dhe mjetet financiare do të fillojnë me ndërtimin e rrugës.
Adnan Memed, shef i kabinetit thotë: “Ne aplikuam për atë pjesë të rrugës dhe në kërkesën drejtuar Ministrisë së financave bëmë disa ndryshime të vogla, pasi që t’i marrim mjetet që ndahen për komunat, me automatizëm do të bëjmë riparimin e asaj pjese, gjegjësisht pjesës së banuar me shqiptarë. Domethënë, në momentin kur do të marrim projektin dhe të bëhet transferimi i mjeteve financiare, menjëherë do të fillojmë me realizimin e tij sepse për atë rrugë kemi veçmë projekt të gatshëm“.
Kjo rrugë ishte paraparë të ndërtohej që nga prilli i vitit 2015, por ajo vazhdon ende të jetë e vështirë për tu kaluar.
