Dy vite më parë kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, premtoi se ka projekt për asfaltimin e rrugës së Likovës që të shpien deri te penda e Gllazhnjës. Më në fund, pas dy viteve pritje, kanë filluar punimet në terren. Për t’i parë nga afër këto 3 kilometra e gjysmë rrugë kishin ardhur zv/kryeministri Grubi, ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani, zv/ministri për Transport dhe Lidhje e deputet.
“Gjatësia totale e trasesë është 3.5 km me vlerë prej 54 milionë denarë me kohëzgjatje prej 11 muajsh për realizimin përfundimtar të këtij projekti”, tha Bekim Rexhepi, zv/ministër për Transport dhe Lidhje.
Kjo rrugë të shpien për të penda e Likovës, vend ky që shfrytëzohet edhe si atraksion turistik. Kryetari i Likovës, Erkan Arifi, e pranon se kjo rrugë ka qenë kërkesë e kamotshme.
“Është një kërkesë e kamotshme e banorëve të komunës së Likovës, për arsye se në këtë vend kemi dy penda, atë të Likovës dhe të Gllazhnjës që ka për synim zhvillimin e turizmit malor për komunën tonë”, tha Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.
Po ashtu, 2 vite më parë, Arifi për TV21 pati deklaruar se ka përgatitur plan urbanistik për ta shndërruar këtë vend në destinacion turistik, por edhe sot e kësaj dite nuk duket asgjë nga ky plan.
“Plani urbanistik te penda e Gllazhnjës që ka filluar realisht nga vitit 2015 ka ngecur në Drejtorinë e Ujërave për arsye se ato nuk kanë zonë mbrojtëse te penda e Gllazhnjës dhe mendimi dhe pëlqimi që duhet të merret nga ajo drejtori për të vazhduar procedurën dhe për të finalizuar dhe aprovuar planin urbanistik është në Drejtorinë e Ujërave”, pohoi Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.
Arifi pohon se ka marrë premtim nga Drejtoria e Ujërave që do ta rregullojnë zonë mbrojtëse te penda e Gllazhnjës që pastaj të finalizohet plani urbanistik. Në asfaltimin e rrugës nga varrezat e fshatit Likovë deri te penda e Gllazhnjës do të sanohet edhe kanalizimi atmosferik, trotuaret dhe ndriçimi publik.
