Ku mbetën “One Stop Shopat” e premtuar? Me Shqipërinë nis për dy muaj, me Kosovën në fazë bisedimesh

TË FUNDIT

Brenda dy muajve do të vihet në funksion “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, paralajmëron ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, duke treguar po ashtu se një model i këtillë i kalimit kufitar po negociohet edhe me Kosovën, ndërsa pret që bisedimet të mbyllen brenda 2 muajve.

“Me Shqipërinë kemi nënshkruar marrëveshje dhe është në kuadër të implementimit, pritet që tani të përgatiten protokollet për MPB nga Drejtoria e Doganave dhe aty shumë shpejt do të fillojmë me këtë formë të kalimit kufitar, pra One Stop Shop, përderisa me Kosovën jemi në fazë të negociatave dhe besoj se bisedimet do të përfundojnë me sukses dhe të nënshkruajmë edhe ato marrëveshje.
-Së shpejti a nënkupton këtë vit?
-Shumë shpejt ndoshta për një muaj-dy, do të nisim me aktivitete, tha Oliver Spasovski”, ministër i Punëve të Brendshme.

Ditë më parë në TV21 zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi bëri të ditur se negociatat me Kosovën janë drejt fundit për marrëveshje për “One Stop Shop”.

“Dhe po shpresojmë që këto dy-tre muaj të përfundojmë edhe procedurën me One Stop Shopin, për arsye se u takova me z.Xhelal Sveçla në Prishtinë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe u dakorduam për të vijuar procedurat dhe për të tejkaluar një keqkuptim që… a do të jetë në territorin e Maqedonisë ose të Kosovës, ku do të vendoset. Po e tejkaluam edhe këtë çështje dhe tashmë kanë filluar ekipet… e çka është vendosur a do të jetë në pjesën e Shkupit? …e dakordojnë ekipet se ku do të jetë më e lehtë”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Pyetën edhe në Drejtorinë e Doganave se deri ku janë procedurat për One Stop Shopit me Shqipërinë dhe Kosovën.

“Marrëveshja me Shqipërinë është në fazën e zbatimit në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe aktualisht është duke u harmonizuar protokolli i infrastrukturës mes dy palëve. Në lidhje me vendosjen e konceptit One Stop Shop me Kosovën në pikën kufitare Bllacë, kanë filluar dhe janë duke vazhduar negociatat për lidhjen e marrëveshjes”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

Ndryshe në gusht të vtit 2019 modeli i këtillë u promovua me Serbinë. Ky koncept synon përshpejtim të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave dhe reduktimin e kolonave.