Ku është çanta me 1 milion euro nga Kamçevi? Boki 13 pohon: Zaevi premtoi lehtësim në burg për Mijallkovin dhe Kamçevin, Zaev: Deklaratat e Bokit 13 janë të pavërteta

TË FUNDIT

Zhvatja është bërë për lirim të Kamçevit dhe shuarje të Prokurorisë Publike Speciale, sepse i pengonte edhe VMRO-DPMNE-së, edhe LSDM-së. Kështu u mbrojt Bojan Jovanovski në seancën e sotme për “Reket”.

Bojan Jovanovski, i akuzuar në “Reket”:
-Kam prova se kjo lëndë penalo-juridike “Reket” është bërë për ta shpëtuar Kamçevin, për ta rrënuar PPS-në, për ta rrënuar Katica Janevën, sepse kjo i pengonte edhe opozitës, edhe pushtetit.

Jovanovski thotë se Zoran Milevski-Kiçeec ka marrë pjesë në të gjitha takimet, kurse gjithmonë vinte i pari për t’i vendosur pajisjet për përgjim, kurse tani Boki-13 i ofron edhe kodet me të cilat janë fshehur ato biseda, të cilat, siç thotë, nëse publikohen, do të japin dritë të re për gjithë rastin.

Bojan Jovanovski, i akuzuar në “Reket”:
-Ana Kamçeva dhe Zoran Milevski-Kiçeec kanë vizituar disa ambasada, kurse kanë qenë edhe në kabinetin e kryeministrit të atëhershëm, Zoran Zaev. Ai u ka premtuar se do të bëjë gjithçka për t’ia lehtësuar pozitën Kamçevit, i cili aso kohe ishte në paraburgim për rastin “Perandoria”.

Por, me këto pohime nuk pajtohet lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Dëshminë e Jovanovskit e quajti të pavërtetë.

“Nuk komentoj deklarata të tilla, për shkak se nuk janë të sakta. Gjithsesi çdoherë me çdo njeri që jam parë, kam apeluar për të punuar në bazë ligjore, ndërsa këtë edhe sot edhe në të ardhmen do e përsëris”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në seancë u polemizua edhe për çantën në të cilën thuhet se kishte 1 milion euro, e cila sipas incizimeve është marrë nga shtëpia e Kamçevit, por edhe pas pothuajse një viti e gjysmë nuk dihet ku ka përfunduar.

“Jovanovski tha shumë gjëra për të cilat nuk ka asnjëfarë dëshmie dhe nuk është e vërtet. Duhet të ketë dëshmi, ndërsa gjithkush mund të thotë gjithçka. Sa i përket çantës, në analizën e celularit të tij ka fotografi dhe lokacion të saktë me prindërit ku jetojnë. Koha e saktë përputhet me largimin nga shtëpia e Kamçevit dhe çanta është brenda në shtëpinë e prindërve të tij. Kjo provë u prezantua dhe u parashtrua në gjykatë”, tha Villma Ruskoska, prokurore në “Reket”.

“As në ëndërr. A e dini çka ka? Ja unë do ju tregoj – Ka stacion bazë se që kur Kiçeec e ka kthyer Bojanin  në shtëpinë e prindërve të tij, çantë e tillë, incizim i tillë… i dënuari nuk është ngjitur fare lart, vetëm e ka lënë Bojanin… unë i shqyrtova provat, përveç se nëse prokuroria ruan ndonjë provë, por tani nuk mund të propozojë prova. Incizim i tillë nuk ekziston, me përgjegjësi po pohoj”, tha Sasho Llukovski, avokat i B.J.

Boki 13 duke dhënë mbrojtjen e tij sot para gjykatës, tha se ka pasur kërcënime dhe se ka frikë për jetën e tij kur të kthehet në burg. Nesër, mbrojtjen e saj do ta japë ish-prokurorja speciale, Katica Janeva, e më pas vijojnë fjalët përfundimtare të lëndës.