Kryetarja e Antikorrupsionit dorëzoi dorëheqjen

TË FUNDIT

Kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska, pas reagimeve të forta në opinionin publik gjatë ditëve të fundit, ka dhënë dorëheqje. Ky vendim për t’u larguar nga posti i saj si antikorrupsionistja e parë vjen një javë pas aktakuzës së ngritur ndaj saj nga Prokuroria Publike. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kanë konfirmuar se dorëheqja ka mbërritur dhe se do të veprohet në përputhje me procedurat.

“Kabineti i Kryetarit të Kuvendit e njofton opinionin publik se kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, sot i ka dorëzuar dorëheqjen e saj Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Njëkohësisht, ju informojmë se Kuvendi do të veprojë në përputhje me procedurat e parapara”, njoftuan nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit.

Meqë bëhet fjalë për dorëheqje, procedura e mëtejme parasheh që Kuvendi në njërën nga seancat e ardhshme vetëm ta konstatojë ndërprerjen e mandatit pa ndonjë debat, dhe më pas të nisë procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në njoftimin e shkurtër, Dimitrovska nuk ka dhënë arsye për dorëheqjen, por është thirrur në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit, neni 14, paragrafi 1, alineja 1.

“Kryetarit apo anëtarit të Komisionit Shtetëror i ndërpritet funksioni para përfundimit të mandatit nëse jep dorëheqje”, thuhet në Ligjin për parandalim të korrupsionit.

Megjithatë, vendimin Dimitrovska e mori pas reagimeve të ashpra në publik, ku kërkohej që Kuvendi të niste procedurë për shkarkimin e saj, por kryetari i Kuvendit, Gashi, të hënën deklaroi se nuk ka mundësi ligjore për shkarkimin e saj pa një aktgjykim të formës së prerë. Ndaj Dimitrovskës është ngritur aktakuzë në dy baza, për çka gjykata ka shqiptuar masën e ndalimit të ushtrimit të funksionit. Ajo akuzohet për lidhje me rastin “Aditiv”, sepse ka shpërndarë sekrete zyrtare – përmes telefonit të saj nëpërmjet Viber dhe WhatsApp ka shpërndarë të dhëna për procedura që janë iniciuar ndaj një të akuzuari në këtë rast. Gjithashtu, ajo akuzohet për marrje të paligjshme të certifikatës së sigurisë shtetërore, pasi testi për të nuk e ka kaluar vetë, por është kaluar nga një revizor në vend të saj.