Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut/Grubi: Kovaçevski është zotuar se do ta respektojë marrëveshjen

TË FUNDIT

Pas pothuajse 3 viteve qeverisje LSDM-BDI, që nga zgjedhjet e fundit, tema “Kryeministri i parë shqiptarë” po aktualizohet sërish! Ditë më parë Bujar Osmani, e mbrëmë edhe Artani Grubi paralajmëruan se ende vlen marrëveshja që në 100 ditshin e fundit të kësaj Qeveria, Maqedonia e Veriut të ketë kryeministrin e parë shqiptar në historinë e saj, marrëveshje kjo e cila u bë mes kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit dhe ish-kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev në marrëveshjen e fundit pas zgjedhjeve të vitit 2020. Artan Grubi mbrëmë në emisionin “Debat Plus” tregoi se edhe kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski është zotuar se do ta respektojë marrëveshjen.

 “Me zotërinë Zaev arritëm dakordësi aso kohe i cili ishte kryeministër i mandatuar që në 100 ditshin e fundi ai të largohet nga qeveria dhe të zëvendësohet nga një kryeministër shqiptar, këtë e shkruam e nënshkruam dhe vet zotëri Zaev para mediave e lajmëroi që në 100 ditshin e fundit do të ketë një kryeministër shqiptar për herë të parë Maqedonia e Veriut.  Dimitar Kovaçevski i cili u bë kryeministër u zotua aty në takim para gjithëve se e njëjta marrëveshje që kishte arritur me z. Ahmetin do të jetë valide edhe gjatë mandatit të tij”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.

Reagoi opozitarja VMRO-DPMNE, nga ku thonë se ky është një konfirmim se BDI i numëron muajt e Kovaçevskit dhe konfirmim se të gjithë e shohin Dimitar Kovaçevskin si kryeministër të përkohshëm, jolegjitim, pa autoritet në opinion, i cili së shpejti do të zëvendësohet.

 “Ky është një konfirmim se Kovaçevski e ka marrë karrigen si dhuratë dhe tani po e mban për Artan Grubin. Nuk e dimë nëse Grubi do të jetë kryeministër, por e dimë se Grubi i plotëson dy kushtet për pasardhës të Kovaçevskit. E para është se ai është haptazi i paaftë, dhe e dyta është mjaft kriminel për të qenë pasardhës i denjë i Kovaçevskit”, theksoi Naum Stoillkoski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Por Artan Grubi në emisionin e mbrëmshëm tha se nuk ka pretendime për të qenë kryeministri i parë shqiptar.

 “Nuk kam ambicie të tilla, unë dua të mbahem mend për këtë”, deklaroi tha Artan Grubi, zv/kryeministër.

TV21 kërkoi qëndrim nga LSDM por edhe direkt nga kryeministri Kovaçevski, por nuk morëm përgjigje rreth asaj që pohon Grubi, se kryeministri Dimitar Kovaçevski i qëndron marrëveshjes së arritur mes Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit për kryeministrin shqiptar në Maqedoni në 100 ditët e fundit të Qeverisë 2020-2024.