Ende mbetet e pa qartë nëse kriza energjetike do ta kthejë mësimin online për nxënsit gjatë sezonit dimërorë. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri thotë se muaji tetor dhe nëntor do të jenë vendimtare për të parë se si do të zhvillohet mësimi më tej.
Ai thotë se po punojnë maksimalisht në shfrytëzimin e blok dotacioneve, sepse ka komuna ku nuk janë shfrytëzuar bllok dotacionet për shkollat e mesme dhe ato fillore, me qëllim që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike pandërprerë.
“Që të punojnë shkollat me prani fizike është edhe përgjegjësia se si punojnë drejtorët, në aspektin e menaxhimit të nevojave energjetike. Por megjithatë deri në fund do të qëndrojmë që të mësohet me prani fizike. Do të shohim çfarë mund të bëjmë edhe në pjesën e mësimit, shoh që disa shkolla kanë dërguar kërkesa deri tek këshillat për zvogëlimin e orëve mësimore”- deklaroi Jeton Shaqiri -Ministër i Arsimit.
Një mënyrë tjetër për të kaluar këtë krizë energjetike Shaqiri e sheh edhe ndërprerjen e disa projekteve të nisura për disa shkolla.
“Ne punojmë, kemi projekte të filluara, por disa nga projektet nuk duhet të përfundojnë në këtë periudhë që kemi krizë energjetike, prandaj këta shkolla që kanë situatë të këtillë kanë nevojë, menjëherë në komunikim më Komunat, sepse ka shkolla që kanë komunikim me komunat, pastaj komunat komunikojnë me ne. Unë jam i hapur për bashkëpunim”- pohoi Jeton Shaqiri -Ministër i Arsimit.
Komuna e vetme e cila ka vendosur që pavarësisht gjithçkaje, të vazhdojë me prani fizike është Komuna e Aerodromit e cila do të mbulojë të gjitha harxhimet pavarësisht situatës së krijuar me krizën energjetike.
