Kriza ekonomike i “goditi” punëtorët, Angellovska: Qëllimi nuk është t’i numërojmë vendet e humbura pune

TË FUNDIT

Sa janë të mbrojtur punëtorët me masat ekonomike që i propozoi Qeveria? Një pjesë e ekspertëve thonë se ato janë të pamjaftueshme dhe kanë frikë se punëtorët do të largohen nga puna në mënyrë masovike, prandaj kërkojnë masa më rigoroze. Kompanitë të marrin ndihmë financiare vetëm nëse nuk e kanë reduktuar numrin e të punësuarve nga muaji shkurt kur filloi kriza, e jo nga momenti i aplikimit për ndihmë, thonë ata. Ministrja e Financave, Nina Angellovska, në debatin e mbrëmshëm “Klik Plus” të TV21, tha se qëllimi nuk është të numërohet se sa punëtorë do të largohen nga puna, por të minimizohen dëmet.

-Qëllimi i masës së parë, e cila ishte prezantuar, është që me mbështetje biznesmenët t’i mbajnë vendet pune, me qëllim që kur të vijë koha për “shërim”, më shpejt të fillojë procedura e ripërtëritjes së aktivitetit ekonomik. Këto kompani që janë mbyllur dhe të cilat për momentin nuk kanë mundësi t’i mbajnë dhe t’i paguajnë të punësuarit e tyre, t’i dërgojnë në shtëpi, por me 50% të rrogës që e merrnin, tha Nina Angellovska Ministre e Financave.

E përkundër qëndrimit të tillë të ministres, sipas nënkryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike, Gabriella Kulebanova, masat janë të pajaftueshme dhe nuk do të arrijnë t’i ruajnë vendet pune.

-Ne konkretisht në Qeveri i dorëzuam këto kërkesa: të jepet ndihmë lidhur me rrogat, respektivisht  100% e pagës neto, si kërkesa e parë dhe kryesore që nga fillimi i krizës nga 11 marsi. Kërkesa e dytë është të jepet ndihmë për pagesën e kontributeve dhe taksave për rrogat e të punësuarve në 3 muajt e ardhshëm, tha Nënkryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike Gabriella Kulebanova.

Edhe Drejtoria e të Ardhurave Publike paralajmëroi ndihmë në këto momente krize dhe nuk do të shqiptojnë dënime me qëllim që të ketë lehtësime për kompanitë dhe qytetarët.

-I ndërpresim të gjitha proceset për pagesë të detyrueshme nga ana e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, në pajtueshmëri me ligjet tona, pas të cilave veprojmë. Nuk do të shqiptojmë dënime, gjegjësisht gjoba, sepse si DAP jemi edhe organ kundërvajtës, tha Sanja Llukarevska Drejtoreshë e DAP-it.

Pas prezantimit të masave ekonomike të Qeverisë, përveç odave ekonomike, reagoi edhe komuniteti i biznesit, prej ku thanë se masat janë të pamjaftueshme dhe se nuk do t’i mbrojnë punëtorët.