Ky është viti i parë që festa e Pashkëve po shënohet pas pandemisë, pa kufizime dhe të lirë por, me sfida të reja. Kriza ekonomike dhe lufta në Ukrainë. Megjithatë, larg atmosferës së zymtë krerët shtetërorë sot uruan festën.
“Ditët e Pashkëve janë mundësi që të kthehemi drejt thirrjes të bëjmë vepra të mira dhe të tregojmë solidaritet, respekt dhe mirëkuptim ndaj njëri tjetrit. Pashkët janë festë e shpresës dhe besoj se nga festë me të cilën festojmë shpëtimin të gjithë do të dalim më të fortë dhe më të mirë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Pa video, por vetëm tekstualisht uruan festën kryetari i vendit Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi.
“Të frymëzuar nga vuajtjet e Krishtit për njerëzimin dhe ringjallja e tij, le t’i japim kuptim jetës sonë dhe të kapërcejmë tundimet, duke hapur zemrat tona dhe duke ndarë dashurinë tonë të pakushtëzuar”, shkroi Pendarovski.
“Fjala e bukur, vepra fisnike dhe humane, bashkëndjesimi me ato pa fat shkakton gëzim më të madh dhe i jep paqe shpirtit. Bëhuni edhe ju drita e dikujt në fund të tunelit, shtëpia e ngrohtë dhe strehimorja e dikujt, rrezja e dikujt e shpresës”, shkroi Xhaferi.
Pas përfundimit të liturgjisë ceremoniale në katedralen “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, urim për festën përcolli edhe kryetari i opozitares Hristijan Mickoski.
“Drejtësia ta fitojë padrejtësinë, e mira ta fitojë të keqen pasi që të gjithë ne festojmë me gëzim të madh në trupat tanë dhe ky gëzim duhet ta përcjellim te të gjithë bashkëqytetarët tanë pa dallim të besimit të tyre fetar, pasi që duhet ta duam njëri tjetrin dhe të respektohemi pa dallim të dallimeve tona pasi që mbi të gjitha të gjithë jemi njerëz”, tha Mickoski.
E derisa vetë politikanët qëndruan larg politikës sot, kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë z.z. Stefan, urimit të tij i vendosi pak ngjyrë politike.
“Nga aty edhe sot kemi shpresë se do t’i rezistojmë të gjitha sulmeve të atyre që e kontestojnë të vërtetën për ekzistimin tonë maqedonas shekullor dhe për veçantinë tonë kulturore dhe popullore”, tha Kryepeshkopi.
Ndryshe, me liturgji, me thyerjen e vezëve të kuqe dhe me përshëndetjen e ndërsjellë me fjalët Krishti u ringjall – Me të vërtet u ringjall, krishterët ortodoks e shënuan festën më të madhe krishtere Pashkët.
