Pas 30 ditëve të agjërimit në Ramazan, besimtarët myslimanë sot nisën festën treditore të Fitër Bajramit.
Manifestimi qendror nisi që në orët e hershme të mëngjesit, në Xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup. U kënduan këngë fetare e lutje.
Më pas u fal namazi i Bajramit.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, tha se ajo që i gëzon më shumë besimtarët është se me përkushtimin më të madh kanë kryer agjërimin, duke vërtetuar kështu me trup e me shpirt, se besojnë tek Krijuesi.
Fetahu luti që kjo ditë të jetë e tolerancës dhe afrimit mes njerëzve.
Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, për ta festuar së bashku këtë festë. Zekati jepet nga ai që zotëron ushqim mbi nevojat e ditë-natës së festës së Bajramit. Sasia e zekatit të fitrit është rreth 3 kg nga ushqimi bazë i banorëve vendas. Për çdo person të familjes jepet rreth 3 kg ushqim. Ky zekat është detyrim për vetë kryefamiljarin dhe për të gjithë ata që i ka në përgjegjësi për t’i mbajtur, siç janë bashkëshortja dhe fëmijët. Dita e Fitër Bajramit është një ditë feste, ku tavolinat mbushen plot e ku ka disa ushqime tradicionale që shoqërojnë këtë festë ndër vite.
