A ka vend për frikë që Maqedonia e Veriut u përfshi në listën e shteteve armike të shpallura nga Rusia?! Ministri i Punëve të jashtme Bujar Osmani në emisionin Click Plus në TV21 thotë se ky fakt duhet të na brengosë, por nuk ka informacione për kërcënime të drejtpërdrejta për vendin dhe rajonin. Osmani deklaroi se është në komunikim me faktorët rajonal dhe ndërkombëtarë dhe se nuk ka informacione kredibile për kërcënime të menjëhershëm ose për përgatitje për eskalim të situatës Kosovë-Serbi ose në Bosnjë Hercegovinë.
“Frikë varet çka nënkuptojmë, mirëpo përdorimi i retorikës, armëve bërthamore, qoftë edhe në kërcënimet e ndërsjella politike, nuk është diçka që e kemi parë paraprakisht në këtë relacion. Sigurisht që kjo na brengos të gjithëve, se po ngritët pragu i kërcënimit sepse kur hyn në retorikë, ngadalë ngadalë bëhet pjesë e komunikimit normal, e kërcënimeve normale dhe nuk e dimë ku është fundi. Pastaj kemi zona të rrezikshme në rajon, Ballkani perëndimor është një pikë vunerabile e kontinentit me potencial për eskalim”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Megjithatë duhet një vëmendje në këtë drejtim, thotë Osmani. Në lidhje me krahasimin e Ukrainës me Palestinën, Osmani shtoi se nuk duhet të bëhen analogji mes konfliktit Rusi-Ukrainë dhe konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Shton se nuk mban anën e askujt, mirëpo në këtë formë mbron vendin dhe pragun tonë.
“Kjo që ndodh kur një shtet i pavarur pushton një shtet tjetër të pavarur në kontinent të Evropës, thyen parimet të cilat mbrojnë derën tonë. Ky parim nëse thyhet, nëse fiton Rusia me Ukrainën, nëse fiton tutje dhe do vjen në pragun tënd, e ne po e mbrojmë pragun tonë jo të Ukrainës e as të Palestinës, po interesin tonë dhe pastaj parimin e të drejtës ndërkombëtare që i mbron shtetet e pavarura”, pohoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Ndryshe Ministri i Punëve të Jashtme kujtoi se pa marrë parasysh kërkesave të ambasadës së Ukrainës, nëse ndonjë shtetas i Maqedonisë vendos të shkon të luftojë në Ukrainë, duhet ta dijë se Kodi Penale i Maqedonisë së Veriut dënon shtetasit tanë që marrin pjesë në luftëra të huaja.
