Kovaçevski pret shumicë në Kuvend, VMRO: Në vend të ndryshimeve kushtetuese, t’i përmirësojë institucionet

TË FUNDIT

Kryeministri edhe sot përsëriti se pret që për ndryshimet kushtetuese të finalizohen detajet në grupet e punës në Kuvend. Intenca është që grupet e punës të fokusohen në atë që është dakorduar në takimin e liderëve dhe shtoi se pret përkrahje në Kuvend prej shumicës së deputetëve.

“Unë po shpresoj se VMRO-DPMNE do të mbetet në qëndrimin e saj që e tha kryetari i tyre, profesor doktor Hristijan Mickoski në konferencën për shtyp dhe se sipas asaj që e tha, për ta është e pranueshme vendosja e pjesëve të tjera të popullit në Preambulën e Kushtetutës. Unë besoj se në Kuvend nga 120 deputetë ka shumicë të madhe që është për eurointegrimin e shtetit. Kjo përkrahje po vjen nga të gjithë partnerët tanë strategjikë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga VMRO-DPMNE këto ditë shihen qëndrime të ndryshme, sidomos nga kryetari i partisë, Hristijan Mickoski i cili tha se kushti i tyre është që ndryshimet kushtetuese të jenë me prapaveprim, pas anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Nga partia sot dolën me kumtesë ku thirren në Rezolutën e Bundestagut gjerman.

“Rezoluta në të cilën po betohet LSDM-ja, apelon për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, ndërsa askund nuk përmenden maqedonasit. Rezoluta e Bundestagut në të cilën thirret LSDM-ja, për një gjë është e qartë, se qeveria duhet ta përforcojë luftën kundër korrupsionit dhe të punojë për përforcimin e besimit në gjyqësor. LSDM në vend të shtyjë ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar, le ta përmirësojë gjendjen në institucionet në periudhën që u ka mbetur”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Propozimi i iniciativës për ndryshimet kushtetuese pritet që sa më shpejtë që është e mundur të kalojë në seancë të qeverisë pas çka duhet t’i dorëzohet Kuvendit që të fillojë procedura për intervenimet në aktin më të lartë juridik.