Kryeministri Dimitar Kovaçevski pret që buxheti për vitin 2023 të ndihmojë në zbutjen e pasojave që vijnë nga kriza energjetike, ndërsa nga ana tjetër edhe të përshpejtoje rritjen ekonomike, që sipas tij pritet të rritet për 5%. Në një intervistë për MIA, kryeministri tha se buxheti jo vetëm që është real, por edhe racional, duke siguruar kështu pagesa të rregullta të pensioneve, pagave dhe kompensimet sociale.
“Në aspekt të shumës, propozim-buxheti për vitin 2023 ka për qëllim që t’i përgjigjet krizës aktuale, me 250 milionë euro drejtpërdrejtë të dedikuara për ballafaqim me krizën. Megjithatë ka edhe për qëllim ta stimulojë ekonominë që në të ardhmen të arrihet shkalla e dëshiruar dhe e nevojshme për rritje 5 % të ekonomisë.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Rreth kësaj, kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski e kritikoi kryeministrin, duke thënë se propozim buxheti nuk është zhvillimor, por shkakton inflacion. Në intervistën e kryeministrit, Mickoski thotë se ka shumë gënjeshtra dhe manipulime.
“Thotë se rritja e prodhimit vendor do të arrijë shkallën për 5% , ndërsa e njëjta qeveri, e njëjta ministri thotë se vitin e ardhshëm do të kemi rritje për 2.9% që do të thotë gabimi është i madh. Kur ta ktheni në para i bie që të jenë diku qindra milionë euro. Nëse kryeministri thotë 5%, kurse ministria e Financave thotë 2.9 %, gabim në mes njërit dhe tjetrit organ është diku rreth më shumë se qindra milion euro”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski shton se kryeministri gënjen edhe për transferet dhe dotacionet ndaj komunave. U ankua se në komuna me të cilat udhëheqë VMRO-DPMNE vazhdimisht ka obstruksione, presione dhe kontrolle inspektuese që t’ju pamundësohet zhvillimi.
