Çdo denarë nga buxheti do të dedikohet për tejkalimin sa më të lehtë të kësaj periudhe të turbullt. Të gjitha resurset dhe energjinë, Qeveria do t’i shfrytëzojë për ballafaqim me krizën, kurse do të ketë edhe mbështetje ekonomike për qytetarët dhe ekonominë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë fjalimit të tij të sotëm.
Ai shton se ekspozimi ynë ndaj ekonomisë së Rusisë dhe Ukrainës është i vogël, kurse ndikimi i pritshëm global mbi rritjen e çmimeve është diçka për të cilën Qeveria është e përgatitur.
“Sfidat më të mëdha që janë para nesh janë nga aspekti ekonomik. Për shkak të veprimeve të Rusisë kundër Ukrainës, kriza globale energjetike dhe ekonomike tani po thellohet. Na pret një vit i pasigurt brenda të cilit ekonomia në Evropë dhe botë do të pësojë dëme. Dua t’ju siguroj se Qeveria nga afër i ndjek ndryshimet në zhvillimet botërore ekonomike, dhe njësoj si deri më tani do të veprojmë në mënyrë të përgjegjshme për ta mbrojtur ekonominë vendase dhe situatën financiare të qytetarëve”, deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Maqedonia importon grurë nga Bullgaria dhe Serbia. Por, këto dy vende vendosën ta ndërpresin eksportin. Prandaj, vizituam disa dyqane që të shohim nëse ka rritje të konsumit të miellit. Për dallim nga fillimi i pandemisë, kur qytetarët blinin miell në sasi më të mëdha, kësaj radhe ata me të cilët biseduam janë më të qetë dhe thonë se jemi larg nga kriza për produkte bazë.
“Jo, nuk blejmë rezerva, blej 1kg miell, një litër vaj, aq sa më duhet dhe mendoj se tek ne nuk do të ketë krizë për produkte bazë, ne jemi larg”, tha një qytetar.
“Nuk blej më shumë sesa më duket. Më shumë blejnë fëmijët, i biri dhe nusja. Unë ndonjëherë dhe vetëm çka më duhet mua personalisht. Rrugës më kujtohet çka të blej”, tha një qytetar tjerët.
“Po shoh keni blerë 5kg miell. Keni frikë se nuk do të ketë më?”
“Jo, fare. Edhe po të mos kishte, nuk do të ketë një-dy ditë, dhe për këtë duhet të bëjmë panik?”, tha një qytetar tjetër.
Por, aty ku duhej të kishte miell pamë rafte të zbrazëta apo pjesërisht të zbrazëta. Edhe Presidenti Pendarovski qetëson se kemi rezerva mallrash, por vetëm të mos zgjasë edhe disa muaj kriza mes Rusisë dhe Ukrainës.
