Paralajmërimet gjithnjë e më të zëshme se ka gjasa që Aleanca për Shqiptarët të hyjë në Qeveri, nxit kalkulimet për përforcimin e shumicës parlamentare që nevojitet për votimin e ndryshimeve kushtetuese, duke pasur parasysh se kjo parti ka 8 deputetë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski mohon se janë duke u zhvilluar negociata të këtilla, por në të njëjtën kohë shpreh kënaqësi për qëndrimet e kësaj partie opozitare.
“Bëhet fjalë për një parti politike e cila në programin dhe në paraqitjet e saj publike ka mjaft qëndrime progresive në pjesën e vazhdimit të rrugës europiane të shtetit, pjesën e luftës kundër korrupsionit dhe në pjesën e sundimit të së drejtës dhe vlerësoj se kjo është e mirë. Por, për momentin nuk është diskutuar për ndonjë bashkëpunim konkret për hyrje në Qeveri. Por, më vjen mirë që qëndrimet për ardhmërinë e vendit kanë mbështetje në Aleancë për Shqiptarët”, tha Kovaçevski.
Para dy ditëve, pas mbarimit të takimit të liderëve, u.d. kryetari i ASH-së, Arben Taravari shmangu që të përgjigjet nëse po negocion për hyrje në qeveri. Por Taravari me deklaratën e tij se kjo mund të jetë temë diskutimi, lë hapësirë për negociata me kryeministrin Kovaçevski.
“Nuk do të debatoja mbi këtë, kjo nuk është tema e diskutimit për momentin, kështu që nuk dua ta defokusoj opinionin nga ajo që po ndodh. Mund të jetë tema e diskutimit megjithatë sot nuk folëm për këtë. Folëm për të ardhmen europiane të Maqedonisë, aspak nuk folëm për shumicë të re”, pohoi Taravari.
Megjithatë nëse ndodh që të ketë marrëveshje për hyrjen e ASH-së në Qeveri, kjo do të thotë copëtim i opozitës, për të cilën kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vazhdimisht thotë se po përforcohet. Edhe pse thotë se ky është vendimi i tyre, Mickoski njëkohësisht vlerëson se ky nuk do të ishte hap i mençur i ASH-së.
“Aleancën për Shqiptarët e konsideroj parti opozitare. Ata kanë kryesi të tyre dhe organe vendimmarrëse dhe nëse ata vendosin se duhet të hyjnë në qeveri kjo do thotë se i ndajnë vlerat e njëjta të kësaj qeverie ndërsa unë thashë se pse kjo qeveri duhet të largohet dhe se duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse më pyesni mua personalisht, nuk mendoj se ky është hap i mençur”, tha Mickoski.
Qeveria po përpiqet që ta shtojë shumicën parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë për çka duhet shumica e dy të tretave. Me 8 deputetët e ASH-së, shumica parlamentare do të numëronte 72 deputetë, që nuk mjafton për 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese.
