Kovaçevski e Osmani nuk pajtohen me Llogën: Futja e bullgarëve prioritet për ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

As kryeministri Dimitar Kovaçеvski e as ministri i Jashtëm Bujar Osmani nuk e shohin si ide të mirë, atë të ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga se në momentin që nis debati për ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve, të bëhen edhe disa ndryshime tjera e në mesin e tyre edhe heqja e 20% si definicion për shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Sipas kryeministrit, prioritet momental është vetëm përfshirja e të gjithë popujve që jetojnë në Maqedoni, përshirë këtu edhe bullgarët.

“Ministri Lloga tha edhe për pjesë të tjera të Kushtetutës që duhet të bëhen përmirësime që janë më shumë me karakter procedural për funksionimin e një numri të institucioneve të caktuara. Por, prioritet janë ndryshimet kushtetuese me qëllimin e vazhdimit të rrugës europiane të vendit. Kjo është ajo që qytetarët e presin, kjo është ajo për të cilën qytetarët janë përcaktuar, vend anëtar i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Në të njëjtën vijë është edhe shefi i diplomacisë Osmani. Pohoi se nuk e di se cili ka qenë qëllimin i deklaratës së ministrit Lloga, por theksoi se procesi i tanishëm i ndryshimeve kushtetuese nuk duhet të ngarkohet edhe me çështje tjera politike të cilat, sipas tij, mund ta polarizojnë shoqërinë edhe më shumë.

 “Edhe pse nuk e di qëllimin e deklaratës, mendimi im personal është se tani duhet të koncentrohemi në ndryshimet kushtetuese lidhur me vazhdimin e negociatave me Bashkimin Europian sepse në tërësi janë teknike, nuk kanë pasoja politike, nuk sjellin asnjë lloj kërcënimi për shtetin dhe për bashkësitë, është ajo që e them në vazhdimësi është thjeshtë vërtetim të asaj që në mënyrë implicite është në Kushtetutë”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Në një takim me gazetarët edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi foli për idenë e Llogës për ndryshime tjera kushtetuese, ndërsa tha se sipas tij nuk ka asnjë problem, përderisa kjo gjë arrihet dhe bëhet në pajtueshmëri me të gjitha partitë politike.