Synimi ynë i qartë – rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe konsideroj se ajo që po ndodh në Ukrainë është një arsye e mjaftueshme që Unioni të sjellë vendim për zgjerim i cili ka domethënie gjeostrategjike. Këtë e theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në Forumin Ekonomik Delfi në Greqi, ku u debatua për ndikimin e ndodhive në Ukrainë mbi Evropën. Çdo shtyrje, tha ai, e rrit euroskepticizmin në vend, e me këtë përforcohet dhe inkurajohet interesi i forcave të treta në vend.
“Ballkani Perëndimor dhe Ballkani si tërësi, gjithmonë ka qenë fushë interesi edhe për Rusinë, por edhe për vende të tjera, po, edhe për Kinën. Në të kaluarën kishim mundësi ta shohim praninë e tyre ekonomike në rajon, pothuajse në të gjitha vendet, përfshirë edhe Greqinë dhe të tjerat. Kemi qëllim të qartë, kemi mirëkuptim të qartë mes partive kryesore politike në vend, sidomos mes atyre që janë pjesë e Qeverisë lidhur me rrugën tonë drejt BE-së dhe pikërisht për këtë arsye ne gjithmonë kemi qëndruar në këtë rrugë”, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në panelin “Evropa pas Ukrainës”, fjalim mbajti edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili thirri BE-në që të tregojë lidership strategjik për Ballkanin Perëndimor. Maqedonia është një partner i besueshëm i NATO-s, por edhe i BE-së, sepse u rreshtua pas vendimeve të Unionit që kanë të bëjnë me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, theksoi ai.
“Shpresoj se Bashkimi Evropian do ta kuptojë rëndësinë e këtij momenti dhe do të tregojë një lidership strategjik për Ballkanin Perëndimor, siç e bëri në vitin 2000 kur tregoi lidership strategjik për vendet e Evropës Lindore. Mendoj se agresioni rus, për fat të keq, tregoi në mënyrën më tragjike se sa i rëndësishëm ishte vendimi i BE-së për integrimin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore”, tha Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.
Në margjinat e Forumit, Kovaçevski dhe Osmani u takuan edhe me zyrtarë të lartë nga rajoni dhe Bashkimi Evropian, por edhe me zëvendës-ndihmës sekretarin e SHBA-ve për Çështje Evropiane, Gabriell Eskobar.
