Kryeministri Dimitar Kovaçevski më në fund e pohoi se me Aleancën për Shqiptarët po bisedohet për inkuadrimin e saj në Qeveri. I pyetur për bisedimet për ndarjen e resorëve që do t’i merrte ASh, Kovaçevski tha se në këtë fazë nuk është biseduar ndarja e resorëve, por për konceptin dhe vlerat politike.
“Normalisht që dera në Qeveri është e hapur, gjithashtu edhe sot mund të konfirmoj që për resorë konkrete dhe marrjen e përgjegjësive për momentin nuk është biseduar marrë parasysh që bisedimet janë realizuar në nivelin e konceptit politik dhe në nivelin e vlerave politike sepse nëse keni dikë me të cilin do të koalicionit atëherë duhet të merremi vesh për vlerat bazike në të cilën do të bazohet koalicioni e pastaj për ndarjen e resorëve dhe marrjen e përgjegjësive”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski bëri të ditur se në Kuvend do të miratohen edhe shumë ligje tjera përveç ndryshimeve kushtetuese, prandaj është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha partitë qofshin në pushtet ose opozitë.
“Në Kuvend me siguri se do të sjellën edhe vendime tjera dhe jo vetëm ky, sepse rruga drejt BE-së do të kërkoj nga ne shumë reforma. Për atë thashë se edhe opozita duhet të jetë e kyçur në punën e atyre ligjeve reformatore”, tha DImitar Kovaçevski, kryeministër.
Nëse ASh kyçet në pushtet, Lëvizja Besa do të mbetet partia e vetme shqiptare në opozitë. Kreu i Besës, Bilall Kasami thotë se për subjektin e tij politik është sfidë e rëndësishme që të mbajë rolin opozitës.
“Jo ne nuk do të mbetemi të vetëm, ne do të mbetemi me shqiptarët. Do të mbetemi me popullin dhe gjithmonë aleancat më të fuqishme kanë qenë aleancat me qytetarin. Vlerësojmë që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë të dëshpëruar nga përfaqësimi politik dhe nuk i bën nder ndonjë partie politike në këto momente delikate që është shteti dhe dështimet e kësaj Qeveri që e kanë rënduar edhe më shumë situatën, të futesh në Qeveri pa marrë mandatin e qytetarëve, pa dalë me ndonjë ofertë të qartë para qytetarëve që tu tregosh se cili është misioni yt si pjesë e qeverisë”, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Tani më disa javë flitet për zgjerimin e Qeverisë dhe kyçjen e ASh-së në kabinetin qeveritarë por deri tani ende asgjë konkrete. Javën e kaluar takim pati Taravari dhe Kovaçevski, por thanë se zgjerimi i qeverisë nuk ka qenë temë diskutimi. Edhe kreu i BDI-së ditë më parë konfirmoi se ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të ASh-së për hyrjen në qeveri, por pa epilog konkret.
