Xhamitë në Kosovë, edhe pse jemi në muajin e shenjtë të besimtarëve të konfesionit mysliman, Ramazan, edhe më tutje mbeten të mbyllura, si masë e mbrojtjes nga përhapja e pandemisë së Covid-19, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ahmet Sadriu për televizionin shtetëror RTK deklaroi se në koordinim me institucionet shëndetësore të Kosovës do të vendoset për hapjen e tyre në fazën e dytë të masave kundër koronavirusit, që fillon më 18 maj dhe pritet të sjellë lehtësime të caktuara.
Ai shfaqi shpresë se festa më e madhe myslimane, Bajrami i Ramazanit, me të cilin shënohet fundi i agjërimit njëmujor dhe i cili këtë vit është më 24 maj, do të shënohet me namazin e bajramit, i cili do të falet në objektet fetare islame.
“Xhamitë tona mbeten të mbyllura. Kemi paralajmërime të caktuara se në fazën e dytë do të rritet lëvizja dhe presim që në atë fazë, pas 18 majit, të na mundësohet që të kthehemi në xhamitë tona. Presim gjithashtu për Bajram të falemi në xhami, por kjo varet nga pandemia”, deklaroi sekretari i BIK-ut, duke konfirmuar se ka presione nga besimtarët për hapjen e xhamive.
Megjithatë, theksoi Selmani, BIK-u nuk do të shpejtojë, me qëllim që në asnjë mënyrë të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve.
