Kosovë, të premten pritet fillimi i zbatimit të marrëveshjes për energjinë

TË FUNDIT

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë pritet që të premten të diskutojë licencën për kompaninë “Elektrosever”, që pritet të menaxhojë sistemin energjetik në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Licencimi i kësaj kompanie do të shënojë edhe fillimin e jetësimit të udhërrëfyesit të dakorduar një ditë më parë në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel rreth zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që pritet t’i jap fund mospagesës së energjisë në atë zonë që nga përfundimi i luftës.

Dakordimi që u mirëprit nga autoritetet vendase e ndërkombëtare megjithatë ngjalli debate të ashpra mes pushtetit dhe opozitës në parlamentin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në opozitë kishte kundërshtuar marrëveshjet për energjinë, arsyetoi dakordimin e së martës.

“Kemi trashëguar shumë gjëra të cilat nuk kemi dashur. Po e bëjmë më të mirën me krejt çfarë dimë dhe mundemi me atë çfarë kemi trashëguar. Pra, pas 20 viteve po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po e përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë”, tha kryeministri Kurti.

Por, partitë opozitare e akuzuan atë për siç thanë standarde të dyfishta në qasjen ndaj marrëveshjeve me Serbinë.

“Është kundërthënie politike dhe nuk mund të sillesh as mish as peshk, ose e mirë ose e ligë dhe ose është trashëgimi ose është meritë e jotja, dyjat nuk janë, dhe nëse është dëm dhe nuk ëshstë vazhdimësi atëherë pse na e sjelle “Elektroseverin” në Kosovë të cilën e ke kundërshtuar para katër vite këtu në foltore. Për neve marrëveshja është e tillë, e njejtë, siç ka qenë e mirë atëherë është e mirë edhe tani prandaj edhe të mbështesim, e kuptojmë, po shtrihet sovraniteti në veri”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.