Kosovë, arrestimet e Speciales, goditje për partitë politike

TË FUNDIT

Arrestimet e Gjykatës Speciale në Kosovë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët që prej pasluftës kanë mbajtur poste të rëndësishme në institucionet e Kosovës, po konsiderohen goditje për politikën kosovare.

Disa prej subjekteve politike janë pa figurat kyçe, prej javës së parë të nëntorit kur hetuesit e Speciales arrestuan Kadri Veselin që mbante postin kryetarit të PDK-së, Rexhep Selimin shef i deputetëve të partisë më të madhe opozitare, dhe Jakup Krasniqi një prej themeluesve të Nisma Socialdemokrarte.

Tre politikanët kosovarë, përfshirë ish-presidentin e vendit, po mbahen në paraburgim në Hagë, ndërkohë në Kosovë bashkëpartiakët e tyre po vazhdojnë punën.

Betim Gjoshi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se shkuarja e shefit të partisë në Hagë është goditje e madhe për këtë subjekt politik.

“Lideri i Partisë Demokratike ka drejtuar për një kohë të gjatë partinë, kjo është një goditje për PDK-në por ne me punë dhe angazhim do të mundemi të plotësojmë këtë boshllëk që është krijuar si rezultat i kësaj rrethane. Presim që sa më shpejtë të na bashkëngjitet në aktivitet, pas përfundimit të procedurave në Hagë”, thotë Gjoshi.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur pa një prej personave më aktiv në parti, shefin e grupit parlamentar, Rexhep Selimin.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, thotë se ngjarjet me Specialen mund t’i dëmtojnë në punën brenda Lëvizjes, por edhe të ndikojnë negativisht në zgjedhje.

“Mund të na dëmtojnë ndoshta punën tonë brenda, mirëpo me ndiku në zgjedhje, përkundrazi, mënyra se si ka shku Rexhep Selimi, mënyra si është prezantuar Rexhep Selimi në seancën e parë dëgjimore atje, mendoj që vetëm ka me e tregu edhe më shumë përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me na forcuar. Rexhep Selimi e ka ditë që ka me shkuar dhe ka thënë unë shkoj për me mbrojt UÇK-në atje”, tha ai.

Bislimi thotë se qytetarët të cilët i kanë besuar votën Selimit derisa ai ka punuar në teren, tani e kanë edhe një argument shtesë që ta përkrahin subjektin në të cilin bënë pjesë Rexhep Selimi.

E sipas politologut Ramush Tahiri, arrestimet nga Specialja do të ndikojnë mjaft shumë në skenën politike në Kosovë.

“Arrestimet që janë bërë nga Gjykata Speciale për krerët e lartë të partive politike ndikojnë në jetën politike në Kosovë, sepse mungesa e tyre ndjehet, dhe sepse ndikimi i tyre ishte i madh, dhe sepse partitë për shkaqe morale dhe të tjera, refuzojnë një fare forme t’i kryejnë zgjedhjet dhe funksionojnë me ushtrues detyre ose në shpresë që do të kthehen shpejtë, faktikisht nuk hyn në zgjedhje”, thotë ai.

Ai shton se ngjarjet me Dhomat e Specializuara ndikojnë edhe në koalicionin qeverisës, meqë të arrestuarit kanë drejtuar parti dhe institucione të rëndësishme në Kosovë.

Java e parë e nëntorit në Kosovë u shënua me arrestime e bastisje në shtëpitë e figurave kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Hetuesit e Speciales në bashkëpunim me policinë e EULEX-it dërguan në Hagë edhe Hashim Thaçin, i cili deri atë ditë ishte në krye të Presidencës, institucion ky që tani është nën drejtimin e Vjosa Osmanit, ushtruese e detyrës së postit të presidentit./kp