Kosovë, 30 të moshuar dhe 9 punëtorë në Shtëpinë e të Moshuarve infektohen me Covid-19

TË FUNDIT

30 banorë të Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë dhe 9 punëtorë shëndetësorë janë infektuar me Covid-19. Të gjitha këta banorë të infektuar janë kontakte të personit, i cili me 17 korrik u konfirmua se ishte prekur nga ky virus. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka konfirmuar për kallxo.com se dy nga banorët rezidentë janë në gjendje më të rëndë dhe të izoluar në hapësira të veçanta brenda Shtëpisë së Personave të Moshuar dhe njëri prej të cilëve tashmë është hospitalizuar në SHSKUK.

Ndërsa, 27 banorët tjerë rezidentë të cilët janë të infektuar por që nuk kanë simptoma, janë në gjendje të mirë dhe janë të vetizoluar në dhomat e Shtëpisë së të Moshuarve, ndërsa stafi shëndetësor i infektuar janë vetizoluar në shtëpitë e tyre.

“MPMS në bashkëpunim me MSH dhe IKSHP janë duke ndërmarrë të gjitha masat që personave të moshuar t’iu ofrohet ndihma mjekësore për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdes intensiv, por gjithashtu edhe për personat tjerë rezidentë të cilët nuk janë të prekur me COVID 19. Në funksion të kësaj, MPMS në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë janë duke u angazhuar për të siguruar një ekip mjekësor, të cilët në mënyrë permanente do të jenë në shërbim të banorëve të Shtëpisë së Personave të Moshuar në Prishtinë, deri në tejkalimin e kësaj situate.”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj ministrie.