Vetëm 10% nga aktivitet e planifikuara për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit janë zbatuar nga institucionet e vendit gjatë vitit 2022, ndërsa kjo shifër është ulur për 10% krahasuar me vitin 2021 kur përqindja e zbatimit të strategjisë nacionale për luftën kundër korrupsionit ka qenë 20%, thotë raporti i përgatitur nga Komisioni Antikorrupsion. Sipas kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska rezultatet janë dëshpëruese, ndërsa sipas saj kjo është për shkak të përkushtimit të ulët të institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe papjekurisë së shoqërisë.
“Arsyeja për rezultate të tilla të dobëta dhe moszbatimin e aktiviteteve nga ana e institucioneve e shohim në përkushtimin e pamjaftueshëm të institucioneve për mos kryerjen në kohë të aktiviteteve të ndara, megjithatë edhe në ndërprerjen e punës, gjegjësisht nga njëra anë kemi ndërrime të shpeshta të strukturave udhëheqëse e nga ana tjetër mungesë të administratës profesionale si rezultat i ndikimit politik gjatë punësimeve”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Antikorrupsion.
Me mendimin e Ivanovskës nuk u pajtua zv/kryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska. Sipas saj problemi më i madh në luftën kundër korrupsionit është mosndëshkimi, ndërsa si faktor të rëndësishëm përmendi edhe përgjegjësinë individuale.
“Ne nuk mund të themi se është detyrim i një njeriu, i një Qeverie ose i një institucioni, përkundrazi është detyrim i çdo individi. Nëse flasim për atë se shoqëria ka lëshimet e veta ose sistemi ka lëshime, unë gjithmonë insistoj në përgjegjësi konkrete dhe individuale sepse sistemi dhe shoqëria në thelb jemi ne dhe deri sa nuk e pranojmë këtë se kur flasim, flasim për secilin nga ne veç e veç dhe jo për ndonjë krijim artificial të definuar si sistem dhe shoqëri. Gjithmonë kur mundohemi që përgjegjësinë ta gjejmë te dikush tjetër dhe jo duke filluar nga vetja, ne nuk do të mund të kemi rezultat më të madh në luftën kundër antikorrupsionit”, pohoi Sllavica Gërkovska, zv/kryeminsitre për Qeverisje të Mirë.
Fakti që plani vjetor për zbatimin e strategjisë nacionale 2021 ende nuk është shqyrtuar në Kuvend, për euro ambasadorin Dejvid Gir nuk është aspak inkurajuese. Gir gjithashtu i sheh dëshpëruese përpjekjet e ulëta të institucioneve në luftën kundër korrupsionit.
“Të kthehemi në zbatimin e strategjisë nacionale, mendoj se e tha edhe kryetarja e Komisionit se rezultatet janë dëshpëruese, vetëm 10 % e aktiviteteve janë zbatuar në tërësi në vitin 2022 që është gjysma e 20% të vitit 2021 që vetvetiu nuk është një e dhënë e mirë dhe kredibile. Kjo duhet të përmirësohet, kuptohet se Qeveria duhet ndërmarrë drejtimin, kuptohet se rol të rëndësishëm ka edhe Kuvendi, institucionet e shtetit, gjyqësori, partitë politike”, theksoi Dejvid Gir, euroambasador.
Sipas raportit faktorët më të rrezikshëm të cilët e inkurajojnë korrupsionin në shtet janë ndikimi i fuqishëm politik, mungesa e ndëshkimit, transparenca dhe digjitalizimi i pamjaftueshëm, keqpërdorimi I kompetencave diskrecioanale, rregullativë ligjore e cila le hapësirë për keqpërdorime.
