Te pika pagesore në Tetovë filluan punët për korridorin tetë. U mor dheu për ekspertizë, ndërsa siç bëri të ditur drejtori i NP Rrugët shtetërore Ejup Rrusetemi, ka filluar edhe procesi eksproprijimit të tokave. Rustemi thotë se korridori do të jetë gati për katër vite e shtatë muaj, respektivisht deri në vitin 2028.
“Për ndërtimin e autostradave nuk do të duhen nga 10 vite por këto 110 kilometra do t’i ndërtojmë për katër vite e shtatë muaj. Për këtë arsye kemi edhe konceptin e ri që e bëjmë me Bechtel edhe Enka. Sot fillojnë katër aktivitete shumë të rëndësishme në ndërtimin e korridorit tetë. Fillojmë me analizat gjeomekanike, përbërjen e tokës, njëkohësisht fillojmë edhe me eksproprijim, projektimin edhe njëkohësisht fillojmë edhe mobilizimin e gjithë kompanive për fillimin e autostradës. Për katër vite e shtatë muaj të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që nga 1 janari i vitit 2028 të udhëtojnë në korridorin tetë.”- deklaroi Ejup Rustemi – drejtor I rrugëve e Maqedonisë.
Në ngjarje ishte edhe Artan Grubi i cili refuzoi të përgjigjet në pyetjen nëse “Grupi i Zjarrit” është përjashtuar nga partia. Grubi tha se për këtë duhet të flet kryetari dhe sekretari i partisë, ndërsa në pyetjen nëse “ndihet më komod me përjashtimin e Grupit të Zjarrit”, Grubi tha:
“Unë jam shumë komod prej ditës së parë. Sa më shumë pengesa, aq më shumë punë. Shih se çfarë jemi duke bërë. A ka një projekt që nuk ka lëvizur nga puna edhe pse janë bllokuar nga 10-15-20 vjet. Po ne i lëvizëm malet. Ne e çrrënjosëm bllokadën e Levicës dhe VMRO-së në parlament. Nuk ka pengesë që mund të na ndalë”- pohoi Artan Grubi – zëvendës kryeministër.
Më 8 mars 2023, Qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
