Kundërshtimet për Korridorin 8 dhe për ndryshimet kushtetuese, për kreun e PDSh-së Menduh Thaçi kanë një të përbashkët – antishqiptarizmin. Shprehet i habitur me reagimet e VMRO-DPMNE-së dhe qëndrimet e saj, sipas Thaçit, pro-serbe, ndërsa shton se partia e Mickoskit as nuk po mund ta kamuflojë antishqiptarizmin.
Nëse opozitarja maqedonase vazhdon me këtë kokëfortësi, kjo do ta penalizojë shumë në zgjedhje, vlerëson kreu i PDSh-së. Partia e Mickoskit do të hajë dajak të madh nga ndërkombëtarët me çka qytetarët e Maqedonisë do të marrin mesazh, se nëse ata fitojnë, ju do të humbni, theksoi Thaçi në ClickPlus.
“A ka prapavijë kjo, edhe Korridori 8 edhe ndryshimet kushtetuese emërues të përbashkët kanë? Antishqiptarizmin, e thash direkt. Gjithçka kam pritur mirëpo se VMRO-ja do të merr politika antishqiptare dhe antibullgare dhe do të ketë politikë proserbe, si mos t’i etiketojë kur faktet flasin vetë. Cilat janë elementet brenda në Ballkan që momentalisht bëjnë pengesë në BE: Serbia, Vuçiqi dhe VMRO-ja”, tha Thaçi.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillkovski komentoi deklaratat e Thaçit, për të cilin tha se është satelit i Grubit. Shtoi se krimin po e përzien me antishqiptarizëm.
“Qeveria e BDI-së dhe LSDM-së dhe satelitët e tyre duhet të koncentrohen dhe të përgatisin reagime më të argumentuara edhe pse në një situatë të këtillë ku ndodhet vendi, vështir që do të gjejnë. Kështu po i ngjasojnë skeçeve ku mundohen të tregojnë se cili është amerikani, rusi ose kinezi, cili është me gjermanët, spanjollët e kush me japonezët. Por do ta shohin se çfarë do t’i gjej në zgjedhjet e ardhshme, atëherë do ta kuptojnë se jetojnë në flluskë me gënjeshtra dhe tema të tyre, që ekzistojnë vetëm në kokat e tyre”, u shpreh Stoillkovski.
Thaçi vlerëson se VMRO-DPMNE me këto politika i ka humbur edhe partnerët shqiptarë, pasi sipas tij, të gjitha partitë shqiptare janë pro integrimit në Bashkimin Europian, kurse DPMNE-ja bashkëvepron me kundërshtarët e kësaj bashkësie.
