Kopshti Zoologjik Shkup ka konfirmuar se kafsha e kapur në lagjen Kozle të Shkupit është ujk dhe jo qen apo përzierje race, pas konsultimeve me ekspertë vendorë dhe të huaj.
Sipas njoftimit, pronarët e qenit Sirius të racës ujkçekosllovak, i cili kërkohej prej më shumë se dy muajsh, kanë konstatuar në vend se nuk bëhet fjalë për kafshën e tyre.
Nga kontrollet është vërtetuar se ujku nuk ka qenë i çipuar dhe peshon rreth 25 kilogramë.
Shërbimet profesionale kanë marrë mostra gjaku për analiza biokimike dhe ekzaminime shtesë.
Nga ZOO Shkup thonë se bëhet fjalë për një ujk të ri, i paushqyer dhe i pazhvilluar mjaftueshëm për moshën që ka.
Inspektorë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari gjithashtu kanë konfirmuar se kafsha është ujk i llojit Canis lupus.
Nga Kopshti Zoologjik Shkup apeluan që të mos përhapen dezinformata dhe rikujtuan se kafshët e egra nuk duhet të mbahen si kafshë shtëpiake në kushte të papërshtatshme.
