Kongresmeni amerikan në prag të vendimit për Thaçin dhe të tjerët: Haga të mos lejojë që paragjykimet politike të ndikojnë

TË FUNDIT

Kongresmeni amerikan Keith Self ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm të paragjykimeve politike në vendimet e institucioneve të drejtësisë në Hagë, në prag të vendimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Në një postim në X, Self ka shkruar se një temë që, sipas tij, po përsëritet në rastet që dalin nga Haga është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimmarrje.

“Shpresoj që një anim i tillë të mos vihet re këtë javë, kur të shpallet vendimi në gjyqin ndaj Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi pas vitesh të tëra shtypjeje serbe”, ka shkruar kongresmeni amerikan.

Self e ka lidhur çështjen edhe me situatën e brishtë në Ballkan, duke e përshkruar rajonin si “një fuçi baruti”.

“Ballkani është një fuçi baruti, në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të ndezin flakët e përçarjes, në vend që të punojnë drejt pajtimit”, ka deklaruar ai.